Vendet e BE-së kanë dhënë dritën e gjelbër për heqjen e të gjitha sanksioneve ekonomike ndaj Sirisë, në një përpjekje për të ndihmuar vendin e shkatërruar nga lufta të rimëkëmbet pas rrëzimit të Bashar al-Assadit.
Ambasadorët e 27 shteteve anëtare të BE-së arritën një marrëveshje paraprake mbi këtë veprim, i cili duhet të bëhet zyrtar më vonë gjatë ditës nga takimi i ministrave të jashtëm në Bruksel, thanë diplomatët.
Vendimi i Bashkimit Evropian vjen pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi javën e kaluar se Uashingtoni po i heqë sanksionet kundër Sirisë.
Diplomatët e BE-së thanë se vendimi i ri duhet të përfshijë heqjen e sanksioneve që i përjashtojnë bankat siriane nga sistemi global dhe ngrirjen e aseteve të bankës qendrore siriane.
Megjithatë, diplomatët thanë se blloku synonte të vendoste sanksione të reja individuale ndaj atyre që janë përgjegjës për nxitjen e tensioneve etnike, pas sulmeve vdekjeprurëse që synonin pakicën alevite në Siri.
Lëvizja e fundit e BE-së vjen pasi ajo ndërmori hapin e parë në shkurt duke pezulluar disa sanksione mbi sektorët kryesorë ekonomikë sirianë.
Zyrtarët thanë se masat mund të rivendosen nëse udhëheqësit e rinj të Sirisë shkelin premtimet për të respektuar të drejtat e pakicave dhe për të ecur drejt demokracisë.