Bashkimi e nisi në mënyrë të shkëlqyer edicionin e ri të ProCredit Superligës, duke shënuar fitore të thellë ndaj Vëllaznimit me rezultat 69:106 (23:26, 12:21, 22:29, 12:30), në ndeshjen e zhvilluar në Prizren.
Përballja ishte nën kontroll të plotë të prizrenasve, të cilët dominuan pothuajse gjatë gjithë takimit, ndërkohë që Vëllaznimi luajti kryesisht me lojtarë vendorë.
Çereku i parë filloi me baraspeshë, por Bashkimi arriti të krijojë një epërsi të lehtë 15:22. Megjithatë, kuqezinjtë reaguan dhe kjo pjesë u mbyll me rezultat të ngushtë 23:26.
Në periudhën e dytë, Bashkimi thelloi epërsinë me lojë më të organizuar dhe efikase, duke fituar çerekun 12:21 dhe duke shkuar në pushim me avantazh prej 35:47.
Pjesa e dytë vazhdoi në të njëjtin ritëm, me Bashkimin që ruajti kontrollin dhe e zgjeroi epërsinë deri në fitoren finale 69:106.
Te Vëllaznimi, më i miri ishte Ziggy Ried me 26 pikë dhe 7 kërcime, ndërsa Atik Koshi shtoi 22 pikë dhe 7 kërcime të tjera. Në anën tjetër, për Bashkimin u dallua TJ Brickerstaff me 24 pikë dhe 6 kërcime. /ATVLIVE.TV