Përgatiti: Benita Zeneli
Bashkimi Evropian, pavarësisht situatës së krijuar në veri të vendit, po vazhdon të insistojë në mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore.
Madje, zëdhënësi Peter Stano tërthorazi e pranon se Lista serbe vazhdon të jetë njëra nga adresat e tyre, për të diskutuar për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja në 4 komunat veriore dhe kjo nuk do të ndryshojë, derisa të kryhen hetimet për ngjarjet e së dielës.
“Kur bëhet fjalë për incidente apo sulme terroriste, siç kemi parë të dielën, BE-ja pret për hetimet e duhura dhe pastaj i bën gjykimet dhe ndërmerr hapa në lidhje me to. Kur flasim për bashkëbiseduesit tanë në terren, ne kemi një numër të tyre që luajnë rol në dialog dhe në situatën në terren. Ndërkaq, për zgjedhje të reja të mundshme, pozicioni i BE-së është thënë qartë në qëndrimin e 27 vendeve anëtare, javën e kaluar, dhe nuk ka asgjë që mund të shtojmë në këtë fazë”, tha Stano.
Pavarësisht implikimit të disa pjesëtarëve në sulmin e së dielës kundër Policisë së Kosovës, bazuar në legjislacionin aktual sipas Institutit Demokratik të Kosovës, nuk ka asnjë mundësi që Listës Serbe t’i ndërpritet veprimtaria në Kosovë.
“Nuk ka bazë për ta çregjistruar, përderisa nuk i ndërron statutet e saj të brendshme. Për veprime individuale do të japin përgjegjësi penale individualisht, në këtë rast Radojicic do të jap përgjegjësisë si individ”, tha Eugen Cakolli nga Intituti Demokratik i Kosovës.
Derisa konsideron se duhet të gjendet mundësia për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, njohësi politik, Bekim Kabashi, vlerëson se tani nuk është koha më e favorshme për mbajtjen e tyre.
“Nuk është ambient që i kontribuon frymës së besimit, sidomos te qytetarët serbë në veri, dhe kjo është përgjegjësi e institucioneve të shtetit që duhet të punojë me bashkësinë ndërkombëtare dhe t’ia imponojnë Serbisë për rolin e saj që e ka te serbët lokalë, që situata të qetësohet dhe të shkohet në zgjedhje e dialog, që të mund të gjejmë zgjidhje paqësore”, tha Kabashi.
Në fillim të shtatorit, Qeveria hartoi udhëzimin administrativ për caktimin e procedurave për largimin e katër kryetarëve nga pozita. Mirëpo, faktori ndërkombëtar si rrugë më të mirë ka konsideruar dorëheqjen e tyre.







