Përgatiti: Fatlum Jashari
Përkundër akuzave nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për anim dhe veprim të bashkërenduar me Serbinë, Bashkimi Evropian shprehu mbështetje të plotë për dy përfaqësuesit e saj në procesin e dialogut, Josep Borrell dhe Mirolav Lajçak.
Krahas një deklarate të lëshuar në mëngjes, BE-ja kërkoi angazhim në mirëbesim dhe ruajtje të parimit të konfidencialitetit nga të dyja palët.
“Para së gjithash, lidhur me komentet nga zotëri Kurti, ne nuk komentojmë komentet e të tjerëve, veçanërisht kur ato përmbajnë pretendime të pabaza. Mendoj se vendet anëtare të BE-së e kanë bërë të qartë se mbështesin plotësisht Përfaqësuesin e Posaçëm, Miroslav Lajçak, e po ashtu edhe Përfaqësuesin e Lartë në rolin e tij si lehtësues i dialogut Beograd – Prishtinë”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano.
Duke i vlerësuar të pamjaftueshme veprimet nga Kosova dhe duke konstatuar se nuk janë përmbushur kërkesat për heqjen e masave, BE-ja nuk përjashtoi shtimin e tyre apo vendosjen e tyre për Serbinë.
Pasi vlerësoi se dialogu është në një fazë bllokade, opinionisti Bekim Kabashi theksoi se akuzat nga kryeministri janë formë presioni për të fituar më shumë në proces, jo për ta larguar ndërmjetësin.
“Tash, duhet të ketë veprime nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, pra duhet të presim se si të operojnë ata, duhet të gjendet një metodë, të vazhdohet me shuttle-diplomacy apo ndonjë formë tjetër të ngjashme, dhe të sillen palët sërish në dialog dhe të procedohet tutje”, tha Kabashi.
Teksa konstatoi se asnjëra palë nuk dëshiron zbatimin e marrëveshjes bazë dhe shtojcës, Kabashi tha se Serbia po përfiton nga veprimet e Kosovës.
“Të dy palët nuk janë të interesuara për ta implementuar marrëveshjen, por meqë veprimet po i bën pala kosovare, po i merr edhe ndëshkimet nga BE-ja. Në anën tjetër, Serbia, presidenti Vucic, po është pozicion më komod”, tha Kabashi.
Krahas vlerësimit se akuzat për anim nuk priten mirë nga faktori ndërkombëtar, opinionisti Fitim Mulolli theksoi se “kryeministri Kurti po dështon ta kuptojë ose po e injoron faktin se ShBA-ja është unike me BE-në, në procesin e dialogut”.
“Nga të gjitha këto, përfitues është presidenti Vucic, sepse dialogu po stërzgjatet, veriu po mbetet si çështje e pazgjidhur – që është narrativë e tyre. Shqiptarët, sipas Vucicit, po tregojnë që s’dinë me menaxhu, që nuk dinë me i respektu pakicat e kështu me radhë. Me apo pa vetëdije, po ndihmohet kjo narrativë e Vucicit, e cila është shumë e rrezikshme për Republikën e Kosovës”, tha Mulolli.
Referuar takimeve të 14 Shtatorit në Bruksel, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, akuzuan emisarin Miroslav Lajçak për anim dhe bashkërendim të veprimeve me presidentin e Serbisë, në dëm të Kosovës.