Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se Shqipëria duhet ta mbështesë Kosovën çdo vit me një fond prej 50 milionë eurosh për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë.
Sipas Bashës, kjo mbështetje do të ishte një akt i qartë solidariteti kombëtar, pa cenuar asnjë zë të rëndësishëm të buxhetit të Shtetit Shqiptar.
“Që prej një viti e disa muajsh në Parlamentin e Shqipërisë ndodhet propozimi im, që pas sulmit paramilitar në Banjskë, për t’i dhënë Kosovës çdo vit ndihmë ushtarake në vlerë prej 50 milionë eurosh nga buxheti i Shqipërisë për ta destinuar për mbrojtjen e saj. 50 milionë euro në një qeveri që shpenzon 7.2 miliardë euro në vit janë afërsisht gjysma e shpenzimeve të kësaj qeverie për perde, tavolina, makina të reja – pra për luks qeveritar. Nuk preket asnjë zë tjetër, as investime, as shpenzime sociale”, deklaroi Basha.
Ai shtoi se kjo ndihmë do të duhej të menaxhohej në koordinim me aleatët perëndimorë, si një sinjal i qartë për rajonin dhe komunitetin ndërkombëtar.
“Ky do të ishte një akt i qartë jo vetëm ndaj Kosovës, por ndaj gjithë Evropës, ndaj botës, ndaj Serbisë – që jemi në krah të Kosovës. Pesëdhjetë milionë euro të ndara për buxhetin e mbrojtjes së Kosovës, që ajo mund t’i destinojë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, me Britaninë e Madhe, me NATO-n për nevoja të mbrojtjes”, theksoi Basha.
Deklaratën e plotë të Lulzim Bashës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: