Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, kritikoi ashpër personalizimin e politikës së jashtme nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar marrëdhënien e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq si një iluzion të dëmshëm për interesat kombëtare.
Sipas Bashës, Rama ka ndërtuar një raport të rrezikshëm personal me Vuçiqin, i cili nuk i ka shërbyer as Kosovës dhe as Shqipërisë në momentet kur është dashur mbështetje.
“Tirana zyrtare nën kryeministrin Rama është orientuar gabimisht që në fillim, duke pasë në fillim iluzionin, e tash nuk dihet çka, se mund të ndërtohet një partneritet direkt Tiranë-Beograd, bazuar mbi një marrëdhënie personale midis kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit serb Vuçiq. Kjo provoi të ishte një iluzion jo vetëm i kotë, por i dëmshëm, i rrezikshëm, sepse sa herë Kosova kishte nevojë që Tirana të ndërhynte tek Beogradi, kjo nuk funksiononte”, deklaroi Basha.
Ai tha se Shqipëria duhet t’i qëndrojë besnike akseve strategjike euro-atlantike dhe të forcojë marrëdhëniet me vendet që ndajnë të njëjtat vlera perëndimore.
“Akset tona strategjike janë të përcaktuara nga korniza e sigurisë euro-atlantike. Partnerët tanë në rajon janë Zagrebi, janë Sofja, kujdesi ynë i veçantë është Shkupi, është Podgorica – të gjitha të sulmuara nga një politikë revizioniste, neo-hegjemoniste e Serbisë. Dhe këtu duhet parë pa diskutim edhe roli i veçantë që Kosova ka dhe duhet të ketë në politikën tonë të jashtme”, theksoi Basha.
Deklaratën e plotë të Lulzim Bashës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: