Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, tregoi për mënyrën se si nisi replikimi i tij me kryeministrin Edi Rama, përmes tekstit të një këngë të Unikkatilit.
Sipas Bashës, gjithçka nisi kur Rama për disa ditë me radhë pyeste publikisht se ku ishte ai, ndërsa përgjigja e tij erdhi me vargun “Ku të mbetën shokët?”, duke përmendur emra të afërt të Ramës që janë në burg apo në hetim.
“Zoti Rama kishte ditë që pyeste: Ku je? Ku është Luli? Dhe unë iu përgjigja: Jam këtu, me bashkëpunëtorët e mi, po bëj gati fushatën. Ti ku je? Më e rëndësishmja, ku i ke shokët? Sepse një pjesë e mirë e shokëve të Edi Ramës – nga Erion Veliaj, Arben Ahmetaj, Ilir Beqja, Saimir Tahiri, Lefter Koka, te Vangjush Dako – janë në burg, rrugës për burg ose po mundohen t’i shpëtojnë burgut”, deklaroi Basha.
Ai tha se pas kësaj replike, një mik i kujtoi këngën e Unikkatilit, e cila u bë pjesë e komunikimit të tij me kryeministrin, por me një domethënie të qartë politike.
“Një mik më kujtoi vargjet e këngës së njohur të Unikkatilit: ‘Ku të mbetën shokët?’. Kështu u fut Unikkatili me një varg shumë domethënës në një kontekst të qartë politik, sepse mesazhi është dhe mbetet thellësisht politik”, u shpreh Basha.
Deklaratën e plotë të Lulzim Bashës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: