Në ditën e gjashtë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim elektoral në Mitrovicë. Kryetari i IRDK-së, Elbert Krasniqi, para mbështetësve theksoi rëndësinë e barazisë dhe dinjitetit, si vlera kyçe të programit politik të partisë, nën sloganin e fushatës “Barazi e dinjitet”.
Gjatë tubimit, Krasniqi ndau pamje nga Mitrovica, duke shkruar: “Mitrovica, dinjitetshëm për fitoren e IRDK-së 128”, mesazhi që u prit me entuziazëm nga qytetarët e pranishëm.
Ndërkohë, gjatë ditës Krasniqi ndau edhe pamje nga takimi i së dielës, ku i ftuar ishte kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Në postimin e tij, ai theksoi bashkëpunimin mes IRDK-së dhe Qeverisë së Kosovës, duke shkruar:“IRDK sot priti Kryeministrin Albin Kurti. Vlerësime për bashkëpunimin tonë deri më tani në zhvillimin e Republikës dhe përmirësimin e gjendjes së komunitetit. Për të vazhduar bashkë në Kurti 3, angazhim maksimal nga strukturat e IRDK-së. IRDK 128.”
IRDK ka bërë të ditur se fushata do të vazhdojë me takime me qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës, duke synuar forcimin e përfaqësimit politik dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve.






