Përgatiti: Kastriot Tahiri
Tash e tri javë, Musa Havolli po jeton në “lagjen e re”, në komunën e Podujevës, e të vetmen mënyrë për të përgatitur ushqimin e ka me këtë bombol gazi. Përveç kësaj edhe për nevojat e tjera detyrohen të gjejnë alternativa.
Në këtë lagje e cila u ndërtua nga një projekt i përbashkët mes fondacionit “Shqiptarët për Shqiptarët” dhe komunës së Podujevës, asnjë nga 22 shtëpitë e reja nuk u kyçën në rrjetin e energjisë elektrike.
“Nuk kemi rrymë, jeta u bë e vështirë. Tanë kohën po përdorim këtë plin me përgatit bukë, edhe qe frigoriferin thatë, s’po guxojna me ble send se po prishen”, tha Havolli.
“Shumë e vështirë pasha Zotin, s’po di çka me bo, është bërë zor me jetu, neve u çun krejt shqiptaria na ndërtun shpinë e keds-i s’po na bën një zgjidhje për trafo”, tha Bahri Zeqiri, banor i lagjes.
Meqenëse në këtë projekt është e përfshirë edhe komuna e Podujevës, ATV-ja ka kontaktuar edhe me zyrtarë të saj.
Përmes telefonit ata thanë se faji është te KEDS-i, që, sipas tyre, nuk po e bën kyçjen e njësive. Ndërkaq, KEDS-i thotë ndryshe.
Sipas tij, faji është tek investitori, meqë ai nuk ka ndarë mjete edhe për trafostacion.