Azemi: Vendimi i Supremes për kompensimin e konsumatorëve nga ana e KEDS-it, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë

Njohësi i çështjeve të energjisë, njëherësh edhe anëtar i LDK-së, Visar Azemi, në një lidhje direkte në emisionin DIREKT në ATV, tha se vendimi i Gjykatës Supreme që KEDS të kompensojë konsumatorët, duke ua kthyer borxhin prej rreth 41 milionë eurosh për dëmin e shkaktuar nga faturimi shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri, medoemos do ta implikojë edhe Qeverinë e Kosovës, transmeton atvlive.tv.

“Ky vendim do ta nxisë një reagim tjetër sepse KEDS në këtë rast duhet t’i gjejë paratë dikah për t’i kthyer te qytetarët, ose për t’i kompensuar ata dhe këtu varet kryesisht nga vendimi të cilin do ta marrë Qeveria, në fakt me hapat e mëtejshëm me KEDS sepse këto para duhet të vijnë dikah. Një situatë e tillë e krijuar tani pretendon që ato mjete duhet të kthehen te qytetarët, duhet të kompensohen nga KEDS. Kjo i bie që KEDS të nxerrë nga kuleta e saj 41 milionë euro që do të regjistrohen si humbje për KEDS-in dhe nuk e di se sa do të jenë të gatshëm ata ta zbatojnë një gjë të tillë, përkundër faktit se vendimi i Supremes është vendim i prerë”, tha Azemi.

Ai tha se vendimi i Gjykatës Supreme është i prerë, i cili duhet të zbatohet, ndërsa KEDS tani gjendet në një situatë të vështirë pasi që rrezikon falimentimin.

“Kjo do e implikojë Qeverinë e Kosovës medoemos për të diskutuar, analizuar veprimet e mëtejshme sepse një vendim i Supremes duhet në fund të ditës të zbatohet dhe qytetarët duhet të kompensohen ashtu siç e ka dhënë verdiktin Supremja, por se nga do të vijnë këto mjete, nga do të vijnë këto para, ajo mbetet tash të shihet në KEDS dhe Qeverinë e Kosovës. Kjo mund edhe ta falimentojë kompaninë që është një situatë e re e krijuar dhe mund të jetë e tillë, por varet se çfarë disponimi do të ketë Qeveria e Kosovës”, tha Azemi.

Kujtojmë se Gjykata Supreme ka vërtetuar aktgjykimin që detyron KEDS-in t’ua kthejë borxhin prej 40.8 milionë Eurosh konsumatorëve të 34 komunave, për dëmin e shkaktuar nga faturimi shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri, në periudhën 2012-2017.

Supremja nxori vendimin që obligon Zyrën e Rregullatorit për Energji ta detyrojë KEDS-in të bëjë kompensimin, muajin e kaluar, kur rregullatori ende po shqyrtonte rritjen e tarifave të energjisë për 15%, që kap vlerën 50 milionë euro.

Ndërsa, e publikoi vetëm sot, pas kërkesës nga ATV-ja.

KEDS-i nuk është përgjigjur në pyetjet e ATV-së lidhur me vendimin e Supremes.

Më 2017, me vendim të gjykatës ishte ndalur praktika e faturimit shtesë prej 3,5% për katër komunat në veri.

Po atë vit, ZRRE-ja vendosi që barrën për energjinë e pafaturuar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok ta bartë KOSTT-i. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA