Kryetarët e komunave të Kosovës po përballen me ankesa të vazhdueshme nga qytetarët lidhur me rritjen e kostos së jetesës, të ndikuar nga tatimi në pronë, tatimi në tokat bujqësore dhe mundësia e shtrenjtimit të energjisë elektrike, raporton Ekonomia Online.
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) i ka kërkuar Qeverisë që të marrë parasysh këto shqetësime, duke paralajmëruar se këto masa po ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik lokal dhe mirëqenien e qytetarëve.
Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka theksuar se komunat janë institucionet e para ku qytetarët shprehin pakënaqësitë e tyre dhe se së fundmi janë adresuar ankesa të shumta për këto rritje. Ibrahimi theksoi se rregullimi i fundit për tatimin në tokat bujqësore ka anashkaluar përjashtimin për tokat që punohen.
“Komunat dhe kryetarët e komunave janë dera e parë ku qytetarët ankohen, në këtë rast janë ankuar edhe për mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, që do të ndikojë në koston e jetës së qytetarit të Kosovës. Gjatë këtyre viteve të fundit kemi pasur ngritje të tatimit në pronë, si pasojë e rivlerësimit, që është bërë nga Ministria e Financave. Pastaj vitin e kaluar ka filluar për herë të parë që edhe tokat bujqësore të tatohen, kështu që ka pasur direkt një impakt në xhepin e bujqve, duke marrë parasysh që në ligjin e fundit ka qenë e paraparë që tokat, të cilat nuk punohen mund të tatohen, kurse ato që punohen mos të tatohen në mënyrë që bujqit të inkurajohen ta punojnë tokën. Këtë herë niveli qendror ka vendosur që pa marrë parasysh se a punohen apo nuk punohen tokat ato duhet të tatohen. Ngritja e tatimit në pronë, pastaj tatimi në tokat bujqësore, mundësia e ngritjes së rrymës elektrike 15 për qind, të gjitha këto po ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal dhe në jetën e qytetarit”, ka thënë ai.
Asociacioni i Komunave ka reaguar për këto çështje duke kërkuar nga Qeveria të rishikojë vendimet që rëndojnë barrën financiare të qytetarëve. Ibrahimi tha se shpreson që ligji për tatimin në pronë do të amandamentohet në mënyrë që të mos rëndojë më tej qytetarët.
“Bordi i AKK-së ka dalë me një deklaratë dhe ka kërkuar nga niveli qendror që të marr parasysh këto shtrenjtime, këto ngritje të cilat po i kushtojnë qytetarit të Kosovës. Gjithçka ndikon në zhvillimin ekonomik lokal. Fatmirësisht, këtë vit pasi që AKK-ja reagoi niveli qendror mori vendim që ta pezullojë shkallën progresive të tatimit në pronë, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë faturat e bizneseve do të ngriheshin deri në tri herë apo 300 për qind, mirëpo kjo është pezulluar momentalisht, sepse mund të zbatohet vitin e ardhshëm. Po shpresojmë që niveli qendror gjatë këtij viti do ta amandamentojë Ligjin për tatimin në pronë dhe kërkesat e kryetarëve të komunave të kanalizuara përmes AKK-së të merren parasysh dhe faturat e qytetarëve t’i shkojnë ashtu siç i kanë shkuar para tri vjetësh para rivlerësimit të pronës”, ka thënë ai.
Ibrahimi vlerësoi se situata ekonomike për qytetarët po vështirësohet çdo ditë.
“Për çdo ditë jetë e qytetarit është duke u vështirësuar, për shkak të ngritjes së çmimeve, për shkak të inflacionit, tatimit në pronë, tatimit në tokë bujqësore, tani edhe rryma elektrike dhe gjitha këto brenga të qytetarëve së pari po dëgjohen nga kryetarët e komunave që përmes AKK-së kërkojnë që të merren parasysh këto kërkesa. Çka është tjetër një kërkesë e komunave gjithmonë kur bëhen këso veprime drejtpërdrejt ndikohen qytetarët e Kosovës dhe duhen të merren parasysh kërkesat e komunave, kërkesat e kryetarëve të komunave, sepse edhe ata janë kushtimisht hisedarë në këto procese”, ka thënë ai.