Në Ditën Botërore të Teatrit, aktorja dhe profesoresha Arbnesha Grabovci-Nixha ishte e ftuar në emisionin ALARM në ATV, ku theksoi se Kosova qëndron shumë mirë me teatrin, filmin dhe artin në përgjithësi, pavarësisht vështirësive që ndonjëherë i japin jetë kreativitetit.
Sipas saj, teatri është reflektim i qenies njerëzore dhe, falë dashurisë së publikut, ai mbetet një pasuri e madhe në vendin tonë.
“Teatri është një magji. Teatri është jeta e vetë njeriut, jeta e qenies njerëzore. Teatri është i rëndësishëm po aq sa është edhe vetë jeta e njeriut. Këtë e ka thënë Artur Milleri. Vetë magjia edhe reflektimi që bën tek njerëzit e bën edhe më madhështor teatrin edhe vetë njerëzit të cilët e dojnë edhe e shikojnë. Pasi që sot është Dita Botërore e Teatrit, 27 Marsi dhe festohet në gjithë botën, normal që reflekton dhe duhet ta themi pa hezituar se ne qëndrojmë shumë mirë me artin, shumë mirë me teatrin, me filmin, me gjitha këto gjëra të cilat e rrethekojnë dhe e bëjnë një aktor edhe një teatër, një komunitet. Vështirësi ka çdoherë, ka pasë dhe do të ketë, mirëpo e mira e smirës është se nganjëherë vështirësitë ta mundësojnë të del një kreativitet i papritur,” tha ajo.
Intervistën e plotë të Arbnesha Grabovci-Nixhës në emisionin ALARM, e gjeni në videon më poshtë: