Përgatiti: Sara Shehu
Vendimi i listës për rregullimin e çmimeve të produkteve medicinale, i cili para tri javëve hyri në fuqi me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, e që javën e shkuar u anulua nga po kjo ministri, ka nxitur reagime në komisionin për shëndetësi e mirëqenie sociale.
Anëtarët e Komisionit pretendojnë se anulimi është bërë për interesa personale financiare.
“Është dashur të ishte prezent ministri i shëndetësisë e sidomos pas reagimeve. Ka diçka më shumë, se anulimi i një vendimi duhet të sqarohet, nuk duhet të kaloj në heshtje kjo. Kemi një vendim që miratohet lista dhe një tjetër anulohet. Ai ishte i vetmi që e ka miratu edhe e anuloi”, tha deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
“Kemi analizuar listën e çmimeve, kemi qenë vërtet të zhgënjyer, sepse ka pasë rritje të çmimeve në produkte prej 50% deri në 300% për disa produkte nga kjo listë zyrtare. Përmes këtij ligji është dashur të zbriten çmimet si p.sh. për aspirin vetëm janë rritë çmimet. Ministri ka anulu diçka që vetë e ka miratu. Ka konflikt interesi”, tha deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Sipas anëtarit tjetër të komisionit, nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka pasur mangësi në hartimin e këtij ligji.
“Ka pasur hezitime për këtë ligj se rregullon tavanin e çmimeve, por jo ne se kemi pasur asnjëherë të qartë. Ky ligj është shoqëruar me debate të shumta. Në komision për këtë ligj ka pasur ndryshime në pozita ndërrime, pra a keni pasur presion politik”, tha Dreshaj.
Nga ana tjetër, Virtyte Krasniqi, nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, tha se duhet sërish të rishikohet lista e çmimeve të barnave.
“Derisa është funksionalizu komisioni janë ba ndërrime të shumta për shkak të orareve të ndryshme që i bojmë. Ky komision nuk paguhet, ka pasë problem se komisioni nuk paguhet është punë shumë e rëndë edhe pse profesionale. Listat zyrtare nuk mund të jenë gjithmonë publike. Duhet me ditë çmimet a janë me TVSH, apo pa TVSH, nuk mundemi veç thjesht me vendosë çmime”, tha Krasniqi.
Lidhur me këtë akt normativ, i cili ka për qëllim kursimin e xhepit të qytetarëve dhe mbrojtjen e tyre nga abuzimet me çmimet e larta për barna, ATV-ja ka pyetur edhe Ministrinë e Shëndetësisë për arsyet e anulimit të tij, por deri në këto momente nuk kanë dhënë ndonjë sqarim.