spot_imgspot_img
spot_img

Ambasadori suedez për krizën politike: Situata mund të shfrytëzohet nga mosnjohësit e pavarësisë

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se Kosova ndodhet në një situatë të ndjeshme për shkak të ngërçit politik, të cilën mund ta shfrytëzojnë shtetet që nuk e njohin pavarësinë e saj.

Westerlund ka kujtuar eksperiencën e Suedisë në vitin 2018, kur formimi i qeverisë zgjati disa muaj, por përmes dialogut dhe kompromisit u arrit një marrëveshje. E sipas tij, në Kosovë nuk po duket se ka dialog mes partive.

“Siç kam thënë më parë, ka shumë demokraci perëndimore ku formimi i qeverisë zgjat dhe përbën sfidë. Por problemi me Kosovën është se ajo ndodhet në një pozicion shumë të ndjeshëm. Është demokracia më e re në Evropë dhe nuk është anëtare e strukturave euro-atlantike, ndaj është më e cenueshme. Kjo situatë ndikon në disa fusha. Së pari, rrezikohet lidhja mes votuesve dhe udhëheqësve politikë nëse këta të fundit nuk arrijnë të përmbushin premtimet e tyre. Së dyti, funksionimi i shtetit demokratik është në rrezik – aktualisht, rreth 17 institucione nuk po funksionojnë si duhet, dhe kjo është një rrugë shumë e rrezikshme për Kosovën”, ka thënë ai për “Ekonomia Online”. “Sa i përket situatës, ne patëm diçka të ngjashme në Suedi në 2018, ku dy koalicione ishin shumë afër me mandate, por asnjëra nuk kishte shumicën absolute. Na duheshin disa muaj për të gjetur një zgjidhje, por në fund arritëm kompromis. Ajo që bëhej ishte që partitë politike diskutonin vazhdimisht, orë të tëra bisedimesh për të gjetur një platformë të përbashkët dhe zgjidhje. Nuk e di se çfarë ndodh pas skenave këtu, por nuk kam parë kaq shumë dialog mes partive politike për të arritur marrëveshje. Kjo mungon, kompromisi nuk është diçka negative”.

Teksa ka vlerësuar se Kosova ka arritur shumë, Westerlund ka shtuar se procesi megjithatë s’ka përfunduar. Kur ka përmendur njohjet ndërkombëtare, ai ka thënë se mungesa e tyre e bën situatën të ndjeshme dhe të shfrytëzueshme nga mosmbështetësit e pavarësisë.

“Do thosha se Kosova është demokracia më e re në Evropë dhe ka arritur shumë që nga lufta, por procesi nuk ka përfunduar ende. Nuk është njohur nga të gjitha shtetet anëtare të komunitetit ndërkombëtar dhe as nga shumë organizata ndërkombëtare. Pra, është një histori suksesi, por ne ende nuk jemi në një pozicion të stabilizuar. Për këtë arsye, Kosova është në një situatë të ndjeshme tani dhe kjo mund të shfrytëzohet nga ata që nuk e mbështesin pavarësinë e saj. Këtë duhet ta kemi parasysh”, ka përfunduar Westerlund.

Ngërçi politik në Kuvendin e Kosovës ka hyrë në muajin e gjashtë që prej zgjedhjeve të shkurtit. Deputetët nuk po arrijnë të zgjedhin kryetarin e institucionit më të lartë ligjvënës. Deri tash kanë dështuar më shumë se 50 seanca. Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese nuk ka siguruar asnjëherë 61 vota për emrin e Albulena Haxhiut apo edhe për komisionin për votim të fshehtë. Çështja ka kaluar në Gjykatën Kushtetuese që të premten ka përcaktuar se seanca konstituive duhet të mbyllet për 30 ditë e se partia fituese ka të drejtë që njërin kandidat ta propozojë tri herë. Deputetët janë urdhëruar të votojnë në votim të hapur.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA