Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, priti sot në Selinë Qendrore ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Në këtë takim nga LDK njoftojnë se është diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj këtyre zhvillimeve, me theks të veçantë në procesin zgjedhor të 28 dhjetorit.
“Kryetari Abdixhiku e informoi ambasadorin britanik për përgatitjet e intensifikuara të LDK-së për zgjedhjet nacionale dhe angazhimin e partisë për një proces demokratik, të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Po ashtu theksoi mobilizimin e strukturave në të gjitha komunat, finalizimin e programit qeverisës, si dhe angazhimin e partisë për një fushatë konstruktive dhe të orientuar kah qytetari. Kryetari Abdixhiku nënvizoi se LDK-ja është e gatshme të paraqesë një ofertë serioze dhe vizionare për të ardhmen e vendit, duke u mbështetur në përvojën institucionale që ka. Kryetari Abdixhiku i shprehu mirënjohjen ambasadorit Hargreaves për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në proceset e saj më të rëndësishme shtetformuese dhe demokratike”, thuhet në njoftimin e LDK-së.







