Aleanca i bashkohet thirrjes për dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës

Aleanca ka njoftuar se u është bashkuar thirrjeve për dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Këto thirrje janë përsëritur vazhdimisht sonte gjatë protestës në Prishtinë, në të cilën është kërkuar drejtësi për rastin e Arlinda Zekajt.
Reklamë
Aleanca e ka cilësuar si të dështuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave.
Dhe, sipas kësaj partie, adresa e dështimit të kësaj strategjie është Ministria e Drejtësisë.
“Aleanca i bashkohet kërkesës së grave të Kosovës për dorëheqjen e ministres Gërvalla. Aleanca po ashtu kërkon dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për menaxhim fatal të rastit të Arlinda Zekaj. Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave duhet të ndryshohet me urgjencë dhe në tërësi. Përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi. Përgjegjësia nuk mund të përfundojë vetëm te zyrtarët e nivelit të ulët në polici apo prokurori. Është e papranueshme që të shkarkohen vetëm vartësit, ndërsa përgjegjësit politikë të vazhdojnë të bëjnë sehir, duke mbrojtur një strategji që ka dështuar. Përgjegjësia duhet të nisë nga lart.”, thuhet në njoftimin e Aleancës.
Reklamë








