Përgatiti: Nora Luta
Nga Komuna e Istogut, Nexhmedin Curri të hënën erdhi në Gjykatën e Prishtinës.
Por, nga aty tha se doli i lehtësuar që 25 vjet pas luftës drejtësia u bë, ndonëse sipas tij, jo mjaftueshëm, kur dëgjoi se Casllav Jolliq u shpall fajtor për krime kundër njerëzimit.
Trupi gjykues i kryesuar nga Musa Kongjeli, ia shqiptoi Jolliqit tetë vjet burgim.
Ata i falën besimin edhe dëshmisë së Currit, i cili sipas aktakuzës u keqtrajtua fizikisht nga Jolliq.
Gjykata e shkallës së parë në arsyetim ndër të tjera përmendi edhe dëshminë e të dëmtuarve të tjerë në këtë rast, Zef Malësisë dhe Naim Feratit.
Por, mbrojtja është shprehur e befasuar me këtë aktgjykim, pasi pretendon se nuk ka prova bindëse për fajësinë e Jolliqit.
Sipas aktakuzës, Jolliq nga janar i 1998-s deri më 21 qershor të 1999-s, në territorin e Komunës së Istogut në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë keqtrajtoi, rrahu e torturoi civilë në komunën e Istogut.
Ai ishte arrestuar në qershor të 2022-s, ndërsa gjykimi kishte nisur në dhjetor të po të njëjtit vit.
Gjatë procesit u dëgjuan dhjetë dëshmitarë, 8 të PSRK-së, dhe dy të mbrojtjes, përfshirë të dyshuarin për krime lufte, Momir Pantiq.
Pantiq, sipas Prokurorisë, kishte hedhur poshtë teorinë e mbrojtjes se Caslavi nuk kishte qenë polic rezervë i forcave serbe.