Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë ka njoftuar se po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e shoferit që po drejtonte veturën “Audi”, e cila dje ka rënë në ujërat e Vardarit pasi ka dalë nga rruga lokale për në fshatin Rashcë. Deri më tani, janë gjetur të vdekura tri gra që ishin në veturë, ndërsa një fëmijë rreth moshës 5-vjeçare ka shpëtuar i gjallë.
Aksidenti i komunikacionit është raportuar se ka ndodhur dje rreth orës 16:00.
Nga MPB theksojnë se në vendngjarje janë dërguar menjëherë zyrtarë policorë dhe shërbimi emergjent mjekësor si dhe prokurori publik.
“Në orën 18:00 nga spitalin “Shën Naum i Ohrit” na njoftuan se nga kalimtarë i kanë sjellë një fëmijë katër vjeçar, i cili më pas është transferuar në Qendrën Klinike. Në orën 21:05, zyrtarët policorë të njësitit “Tigrat” kanë nxjerrë automjetin tip “Audi” nga ujërat e lumit Vardar, në të cilin janë gjetur tre persona të vdekur”, njoftojnë nga MPB.
Siç informuan nga Qendra për Menaxhimin e Krizave, trupat e tre grave janë nxjerrë nga automjeti i cili është nxjerrë nga lumi Vardar.