Atasheu i mbrojtjes në Gjermani, koloneli Bekim Zejnullahu është akredituar si atasheu i parë jorezident i mbrojtjes i Kosovës në Republikën Çeke.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë vizitës përuruese dhe në takime me autoritetet çeke të mbrojtjes, kolonel Bekim Zejnullahu u shoqërua nga ambasadorja e Kosovës në Pragë, Albesjana Iberhysaj-Kapitaj.
“Përveç takimit të rëndësishëm me zëvendësin e parë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtënant Miroslav Hlavač, u realizuan edhe takime zyrtare në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura me kolonel Jan Husak dhe stafin e tij, si dhe në Ministrinë e Mbrojtjes me Simona Altschulova, drejtore e Bashkëpunimit Ndërkombëtar”, thotë ministria e Mbrojtjes.
Sipas tyre, kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm për forcimin dhe zgjerimin e partneritetit në fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Republikës së Çekisë.







