Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklarimeve të djeshme të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka bërë përgjegjëse ish-opozitën për mosmbajtjen e një seance ku do të votoheshin zgjatja e buxhetit për disa muaj, buxheti për Prishtinë, Gjilan, pagat për RTK-në dhe pakoja për Planin e Rritjes.
Abdixhiku ka thënë se natën kur është nominuar Glauk Konjufca, si kryetar i LDK-së ka shprehur gatishmëri te presidentja Osmani, që të gjitha këto të votohen në pako, madje që të quhej edhe si Pako e Presidentes.
Kreu i LDK-së thotë se përmes Osmani e ka marrë vesh që edhe në Lëvizjen Vetëvendosje ka një qëndrim shumë pozitiv për këtë ide. Pas kësaj, Abdixhiku thotë se ka kontaktuar edhe krerët e PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s dhe me disa ambasadorë të QUINT-it.
Megjithatë, Abdixhiku thotë se pas këtij zhvillimi s’ka lëvizur asgjë për plotë 15 ditë. Kreu i LDK-së thotë e është i habitur se me sa lehtësi fshihet një gjë e tillë.
“Nuk pati asnjë lëvizje, anipse ishte vonë. Ani pse ishin shpenzuar 15 ditë pa asnjë nevojë. Ani pse nuk kishte asnjë gadishmëri as për ta diskutuar bashkarisht në mjë vend këtë ide.
Sot habitem se me sa lehtësi fshihet ky fakt dhe kjo e vërtetë. E kuptoj që jemi në betejë politike, por në këtë betejë na duhet të kemi minimalisht korrektësi dhe sjellje njerëzore”, ka shkruar Abdixhiku.







