Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka deklaruar se zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të kenë ndikim të rëndësishëm në drejtimin politik të vendit dhe se partia e tij është e gatshme për këtë proces. Ai tha se AAK do të garojë e vetme, me Ramush Haradinajn si kandidat kryesor, duke theksuar se partia ka “strukturë të konsoliduar, program të qartë dhe lidership të provuar”.
“Zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jenë ndër më vendimtaret për vendin. Ne jemi të përgatitur plotësisht për këto zgjedhje”, deklaroi Lekaj për lajmi.net, duke shtuar se qytetarët do të vlerësojnë seriozitetin e forcave politike.
Ai komentoi edhe situatën e Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilën tha se po përballet me “rënien më të ndjeshme të mbështetjes” që nga ardhja në pushtet. Sipas tij, qytetarët janë zhgënjyer nga “mungesa e rezultateve”, menaxhimi i dobët i sektorëve kyç dhe konfliktet e vazhdueshme politike.







