Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë edhe 500 trupa shtesë në Washington, pasi sulmit me armë zjarri ndaj dy anëtarëve të Gardës Kombëtare.
Kështu ka deklaruar këtë të mërkurë, 26 nëntor, Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë një vizite në Republikën Domenikane.
“Kjo vetëm do ta forcojë vendosmërinë tonë për të siguruar që ta bëjmë Washingtonin të sigurt dhe të bukur”, u shpreh Hegseth, i cili njoftoi rritjen e numrit të trupave, që do ta çojë numrin total të Gardës Kombëtare në kryeqytet në mbi 2 500.
Pak më herët mediat e huaja, raportuan se ata ndërruan jetë në spital, ndërsa siç aktualisht shkruan BBC, dy ushtarët janë në gjendje kritike shëndetësore.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ishte në fushën e tij të golfit në West Palm Beach në Florida kur ndodhi ngjarja. Ai ka reaguar i tronditur në rrjetin e tij social, Truth, ku shkruan:
“Personi që qëlloi dy anëtarët e Gardës Kombëtare, të cilët janë në gjendje kritike, është gjithashtu rëndë i plagosur, por pavarësisht nga kjo, do të paguajë një çmim shumë të lartë! Zoti bekoftë Gardën tonë Kombëtare, si dhe të gjithë Forcat e Armatosura dhe ato policore!”







