Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë u shemb.
Kjo pamje është simbol i arritjes së qëllimit të Ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 24 vite më parë në Koshare.
Nën udhëheqjen e heroit Agim Ramadani në këtë vend u zhvillua njërën nga betejat më të mëdha në historinë e luftës së UÇK-së.
Të tillë e kujton edhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
“Sot shënojmë përvjetorin e Betejës së Koshares, njërës ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë, kujtojmë me respekt heronjtë e Betejës së Koshares dhe të luftës çlirimtare të UÇK-së. Beteja e Koshares dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim. Rënia heroike e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi dhe komandantëve e luftëtareve të tjerë, dëshmoi se Beteja e Koshares ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive”, tha Osmani.
Beteja e Koshares, u kujtua edhe nga kryeministri Kurti, vetëm se ky zgjodhi rrjetet sociale për ta bërë këtë.
“Në historinë e luftës për çlirimin e Kosovës, Beteja e Koshares mund të shihet edhe si një panoramë e të gjitha betejave, te e cila mund të lexohen të përbashkuara karakteristikat e të dyja palëve ndërluftuese. Atyre të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në betejën për çlirimin e Kosovës nga Serbia, u ndihmua edhe nga ushtarët vëllezër prej Shqipërisë, si dhe e cila me luftën e saj të drejtë për liri, fitoi edhe përkrahjen e vullnetarëve të huaj në këtë rast, por mbi të gjitha, të aleancës së NATO-s, që përshpejtoi çlirimin e plotë të Kosovës. Në anën tjetër, atyre që po luftonin në një betejë të padrejtë dhe për një tokë që s’ishte as nuk mbeti e tyrja, forcave serbe për të cilët, Beteja e Koshares ishte ferri mbi tokë”, tha Kurti.
Beteja e Koshares, sipas të parit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ishte vendimtare për të gjithë luftën në Kosovë.
“Jemi në vendin ku pushojnë luftëtarët shqiptar në vendin që është dëshmi e përpjekjeve të vështira të luftës për liri. Epopeja e Koshares, një luftë mjaft e përgjakshme ka qenë në atë kohë vendimtare për epilogun e luftës tonë, jo vetëm për luftimet këtu në kufi shqiptaro-shqiptar, por për të gjithë luftën. Pa këtë luftë të Koshares, lufta jonë për liri nuk do të ishte. Për këtë liri i nderojmë dhe të gjallët, i përjetshëm qoftë kujtimi për ta”, tha Haradinaj.
Për Homazhe tek varrezat e dëshmorëve të Betejës së Koshares ishte edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Sot me bashkëpunëtorë të LDK-së nderojmë të gjithë heronjët e rënë 24 vite më parë, nëntë prilli shënon datën e njërës prej betejave më të lavdishme të luftës sonë”, tha Abdixhiku.
Beteja e Koshares, nisi më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta” duke i hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. /atvlive.tv