29 C
Pristina
Wednesday, July 16, 2025
Banner

17 komuna pa noterë, Ministria e Drejtësisë ende pa konkurs

PËRGATITI: DRITON SADIKU  

2 vjet e 4 muaj në pushtet, Qeveria e kryeministrit Kurti nuk ka hapur asnjë konkurs për noter të rinj. Në mandatin e parë, Ministria e Drejtësisë kishte anuluar një konkurs nën dyshime për parregullsi. Ministria e Drejtësisë nuk ka treguar se çfarëdo të bëhet me konkursin e fundit që ishte anuluar, vendim të cilin e kishte rrëzuar pastaj edhe Gjykata Kushtetuese. Juristët thotë se Ministria duhet t’i përfillë vendimet e gjykatës.

Që nga ardhja në pushtet, Ministria e Drejtësisë nuk ka hapur konkurse për noter të rinj, ndonëse janë plot 17 komuna që nuk e kanë asnjë noter.

Madje, janë bërë rreth 3 vjet e gjysmë nga kur ministrja Albulena Haxhiu, gjatë mandatit të parë në Qeverinë Kurti 1, kishte anuluar konkursin për noter nën dyshimet për parregullsi, nuk ka pasur lëvizje në shtimin e numrit të noterëve.

Megjithatë, Ministria e Drejtësisë tha për ATV-në se në vjeshtën e këtij viti do të mbahet provimi i noterisë që do t’i hapë rrugë konkursit për noter të rinj.

“Ministrja e Drejtësisë ka emëruar Komisionin për Dhënien e Provimit të Noterisë. Ky Komision është duke punuar në krijimin e parakushteve të nevojshme për mbarëvajtjen e Provimit të Noterisë dhe, së shpejti, do të organizojë provimin që ka për qëllim rritjen e konkurrencës dhe cilësisë. Pas Provimit të Noterisë, Ministria e Drejtësisë do të shpallë konkurs për emërimin e noterëve, me të cilin do t’u jepet mundësia kandidatëve që kanë dhënë Provimin e Noterisë të kandidojnë për t’u emëruar noterë. Përmes këtij procesi, Ministria e Drejtësisë do të zgjidhë problemin e mungesës së numrit të nevojshëm të noterëve dhe, sidomos, komunave pa noterë.”

Mirëpo, nuk treguan se çfarë do të bëhet me konkursin që e kishin anuluar në shkurt të 2020-tës, vendim ky i cili ishte anuluar më pas nga gjykata, me arsyetimin se nuk ka gjetur prova se e paditura, qoftë në procedurë administrative ose edhe para gjykatës ka vërtetuar se Komisioni për Dhënien e Provimit për Noterinë ka cenuar parimin e ligjshmërisë.

Kësisoj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se Ministria nuk mund të mos i përfillë vendimet e Kushtetueses.

“Gjykata në rastin konkret e ka anuluar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për anulimin e konkursit në fjalë dhe në këtë drejtim ajo çfarë mund të themi është se është obligative për Ministrinë e Drejtësisë, që të zbatohet vendimi i gjykatës pa marrë parasysh se cilat janë veprimet e tjera në drejtim të zgjedhjes së noterëve të rinj, asnjë proces i ri, qoftë proces brenda ministrisë së drejtësisë, qoftë ndonjë proces plotësues apo diçka tjetër, nuk mund të shkojë në dëm dhe ta amnistojë Ministrinë e Drejtësisë nga obligimi për ta zbatuar vendimin e gjykatës”.  

Në fakt, në tërë vendin aktualisht aktiv janë vetëm 50 noterë. Përveç 17 komunave që s’e kanë asnjë, 10 të tjera operojnë me vetëm nga një noter.

Përveç kryeqytetit që numëron 13 dhe Prizreni e Gjilani nga 4, komunat e tjera operojnë me më pak se 3 noterë.

 

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA