Përgatiti: Benita Zeneli
Dëshmitari, Naser Krasniqi, ka vazhduar dëshminë në Hagë. Në seancën e së martës u prezantua një dokument të cilin vet Krasniqi ia kishte dhënë Prokurorisë.
“Ashtu qysh shihet edhe nga paragrafi i parë i shkresës kishte të bënte me inkasimin e të hyrave për luftën e UÇK-së për mërgimtarët që nuk i kishin financuar në botën e jashtme, përkatësisht nuk i kishin shlyer obligimet atje dhe na ishte dhënë detyrë që t’i verifikonin dhe këto obligime t’i shlyenin në vend do të thotë në Kosovë”, deklaroi Krasniqi.
Krasniqi shtoi se shuma e kontributeve ishte sipas shteteve dhe të gjitha ishin të specifikuara në vendim dhe varionte nga 1 mijë deri në 2 mijë marka ose franga zvicerane. Derisa tregoi se çfarë ndodhte me ata që nuk e kryenin obligimin.
“Do të duhej t’i merrej pasaporta deri sa t’i shlyente obligimet”, deklaroi Krasniqi.
Derisa ka treguar se një person i quajtur Sabit Shala është arrestuar me urdhër të Sokol Dobrunës, gjatë dëshmisë së tij, Krasniqi i cili është dëshmitari i 118-të, konfirmoi se kishte Gjykatë Ushtarake në UÇK.
“Ai tha se unë kam ardhur që unë të rri në vend të djalit dhe djali të lirohet. Atëherë unë i shpjegova që nuk është në kompetencat e mia një gjë e tillë dhe pasi pyeti unë i tregova që është në kompetencën e Gjykatës Ushtarake dhe ai kërkoi që të takohej me kryetarin e Gjykatës Ushtarake për ta diskutuar të njëjtën kërkesë të tij. Meqenëse Bajram Gashi administrator i togut të Policisë Ushtarake e njihte paraprakisht Habibin, atëherë ne së bashku vendosëm që të ia bëjmë një favor dhe vendosëm që së bashku të shkojmë në Divjakë për ta takuar zotin Sokol Dobruna”, deklaroi Krasniqi.
Ndërkohë aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020, derisa të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: