Shqipëri, shqetësim në rritje për paditë SLAPP ndaj gazetarëve

Në Shqipëri komuniteti i gazetarëve dhe shoqëria civile po shtojnë presionin ndaj autoriteteve zyrtare me qëllim marrjen e masave të nevojshme bazuar në direktivën e BE mbi paditë strategjike kundër pjesmarrjes publike, ose siç quhen ndryshe SLAPP. Sipas njohësve të fushës juridike ato synojnë t’i frenojnë gazetarët në misionin e tyre, duke dëmtuar transparencën dhe llogaridhënien publike. Gjatë 3 viteve të fundit, paditë ndaj gazetarëve në gjykatë u rritën me afro dy herë. Kjo u vecua shqetësuese edhe në progress-raportin e fundit të BE-së për Shqipërinë. Nga ana tjetër zyrtarët thonë se janë vënë në lëvizje për ta vënë në zbatim direktivën anti-SLAPP të BE.

Në pranverë të këtij viti BE miratoi një direktivë kundër padive SLAPP, për të mbrojtur personat që angazhohen në pjesëmarrjen publike nga paditë keqdashëse.

Edhe Këshilli i Evropës miratoi një rekomandim për këtë qëllim. Këto padi po përdoren gjithnjë e më shumë nga politikanë të lartë, zyrtarë përfaqësues të bizneseve apo dhe individë me lidhje kriminale si forma presioni ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe përfaqësueseve të shoqërisë civile me qëllim që ata të tërhiqen nga investigime të ndryshme të ngjarjeve me sfond korruptiv, të paligjshëm apo kriminal.

Në vitin 2023 në gjykatat e vendit ndaj gazetarëve u ngritën 73 padi nga 42 një vit më parë. Aktualisht qendra Respublica, që ofron ndihmë juridike falas për ta gjatë viteve të fundit, po ndjek rreth 50 raste të tilla në gjykata. Përveç një padie, kjo qendër i ka fituar të gjitha çështjet në shkallë të parë dhe proceset vijonë në apel. Por në mungesë të një kuadri ligjor gjyqtarët aktualisht e kanë të pamundur t’i konsiderojnë ose jo padi SLAPP. Avokati Dorian Matlija ka një qasje personale nisur nga përvoja.

“ Ato konsiderohen të tilla kur shihet që shanset që të fitohen në gjykatë janë thuajse zero, sepse janë absurde në vetvete për argumentat që ngrenë, por kanë efektin negativ që trembin gazetarët me shifra të larta që kërkohen për dëmshpërblime. Gjithashtu i deligjitimon ata duke vënë në pikëpyetje lajmin apo besueshmërinë e tyre dhe sigurisht u merr gazetarëve dhe kohën. Grupime të fuqishme politike apo biznese të fuqishme kanë të gjitha mundësitë t’i ndjekin këto çështje dhe të vazhdojnë t’i tërheqin “zvarrë” gazetarët nëpër gjyqe të gjata.”- thotë për Zërin e Amerikës Dorian Matlija, drejtor ekzekutiv i qendrës Respublica.

Zoti Matlija thotë se paditësit janë politikanë të lartë, shumica nga mazhoranca, përfaqësues të bizneseve dhe nëpunës zyrtarë. Ai argumenton se paditësit nuk tërhiqen edhe pse në mjaft raste prokuroria e posaçme zbulon afera korruptive për të cilat kanë shkruar gazetarët që ai mbron në gjykatë.

Në udhërrëfyesin e shtetit të së drejtës që u miratua nga qeveria shqiptare në muajin qershor të këtij viti, në kuadër të përgatitjes për negociatat me BE, është specifikuar se autoritetet zyrtare do të punojnë për të përafruar direktivën e BE-së anti-SLAPP me legjislacionin shqiptar.

Direktiva sugjeron disa masa si: përjashtimin e hershëm në gjykatë të padive të pabaza, mbulimin e shpenzimeve nga pala paditëse kur proçesi rezulton i pabazuar, detyrimin e paditësit për të provuar se padia është e justifikuar, vendosjen e penaliteteve nga gjykata ndaj atyre që iniciojnë padi keqdashëse, apo dhe ndihmë juridike falas për gazetarët.

Por përfaqësues të shoqërisë civile vërejnë se procesi në vend është kompleks, duke marrë në konsideratë dhe mangësitë në trupën e gjyqtarëve për shkak të procesit të vetting-ut.

“ Ekspertët tanë ligjorë që kanë bërë vlerësimin fillestar të hapësirave dhe mungesave që ne kemi aktualisht në këtë drejtim argumentojnë që procesi është shumë sfidues. Në këtë kuadër është shumë e nevojshme që të nisë herët dhe të jetë sa më gjithpërfshirës”- shprehet për Zërin e Amerikës Blerjana Bino, drejtuese e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim.

Edhe Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë Aleksandër Çipa sugjeron një proces të shpejtë gjyqësor të gazetarëve në gjykata, pasi tejzgjatja e dëmton punën e tyre, argumenton ai.

“Gjykatat tona, proceset që kanë të bëjnë me gazetarët nuk mund t’i mbajnë në kalendat e tyre. Duhet të krijohet mundësia që këto procese në trancparencë të plotë të përfundohen konform legjislacionit shqiptar dhe të bëhen shembuj që reflektohen me qëndrime reaguese nga institucionet apo personat që ngrenë padi të pabazuara ndaj gazetarëve”- argumenton Z. Çipa.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i tha Zërit të Amerikës, se një grup i posaçëm pune, ka nisur analizën e rasteve konkrete të padive SLAPP në gjykata ndaj gazetarëve për të parë tipologjinë, nga vijnë dhe si janë vendimet e gjykatave për to.

Z. Manja konfirmoi se përafrimi i direktivës së BE me legjislacionin në vend ka nisur edhe pse afati final në udhërrëfyes është viti 2027. Sipas tij mendohet të ndërhyhet në dy aspekte.

“ Po t’i referohesh direktivës një nga masat anti – SLAPP është dhe mundësia që duhet t’i jepet gjyqësorit që t’i refuzojë këto padi që në momentin e parë. Kjo kërkon patjetër ndryshime në Kodin e Procedurës Civile. Gazetarët në rastin e padive strategjike kundër pjesmarrjes publike, ( SLAPP) konsiderohen viktima. Edhe në këtë rast do duhet të ketë një incentivë që ka të bëjë me mbrojtjen juridike, ndihmën juridike falas. Këtë e ofron ligji për ndihmën juridike falas. Do duhet të ndryshohet edhe ky ligj. Me këto kemi filluar nga puna që tani”- thotë Ministri i drejtësisë Ulsi Manja.

Por Zoti Matlija drejtor i qendrës Respublica, ndalet edhe në një tjetër moment që lidhet me dekriminalizimin e shpifjes pasi gjysma e padive që ai ndjek në gjykatë janë penale dhe jo civile. Kodi Penal parashikon gjobë deri në 3 milion lekë, për shpifje.

“ Një pjesë e mirë e padive SLAPP janë ato që gjykohen në gjykatat penale jo në gjykatat civile. Gazetarët nuk përballen me dëmshpërblime, por me dënime. Gjoba nuk është shumë e lartë, por problemi më i madh është që mbetet në dëshminë e penalitetit të gazetarit, si një person i dënuar. Kjo është kritikuar dhe nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut”- vijon Z. Matlija.

Ministri i Drejtësisë i tha Zërit të Amerikës se po punohet për një kod të ri penal që synon të reflektojë 61 direktiva të BE. Dekriminalizimi i shpifjes do marrë vëmendje të posaçme thotë Z. Manja.

“Qasja jonë është pozitive për ta përafruar Kodin Penal me standardet më të mira të BE. Pse jo Shqipëria, kur të miratohet kodi i ri penal ta ketë edhe shpifjen të dekriminalizuar. Ka instrumenta të tjerë juridikë për t’u mbrojtur ndaj shpifjes dhe cënimit të personalitetit. Një proces gjyqësor civil edhe në rastin e shpifjes, kur pretendohet për cënim të dinjitetit personal, familjar apo tregtar, ka mjete të tjera juridike për ta rivendosur të drejtën e shkelur edhe në rastin kur këto subjekte janë gazetarë.”- sqaron Ministri Manja.

Por një nga momentet kyçe kur bëhet fjalë për paditë strategjike kundër pjesmarrjes publike, lidhet me trajnimin e gjyqtarëve, që gjithashtu përfshihet në direktivën e BE. Komiteti shqiptar i Helsinkit e çmon të rëndësishëm këtë element.

“ Besoj që ka nevojë për trajnime të mirëfillëta të gjyqtarëve, nga ekspertë të cilët janë marrë me paditë SLAPP në vende të tjera, qoftë të rajonit, në Shqipëri apo dhe në vendet e BE, pasi ky nuk është një fenomen shqiptar por global.”- thotë Erida Skëndaj, drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Në Shqipëri BE ka zhvilluar disa seanca të posaçme për trajnimin e gjyqtarëve në lidhje me lirinë e shprehjes. Ndërsa në mesin e nëntorit në Bruksel pritet një seancë trajnimi e posaçme në lidhje me paditë SLAPP, me pjesmarrjen edhe të përfaqësuesve të sistemit gjyqësor shqiptar. Ky moment shënon një hap të ri mbi përpjekjet europiane në këtë drejtim, çka pritet të reflektohet më pas edhe në Shqipëri.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA