Përgatiti: Driton Sadiku
Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, që tema kyçe në seancën e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Teksa raportuesi për Kosovën, Riho Terras prezantoi raportin, para deputetëve kërkoi që rruga e Kosovës drejtë BE-së të përshpejtohet.
“U bëj thirrje vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën të rishqyrtojnë pozicionin e tyre për të përshpejtuar integrimin e Kosovës në BE. Dua t’ju siguroj se populli i Kosovës është shumë optimist sa i përket anëtarësimit në BE. Mbështetja publike është shumë e lartë. Po ashtu, edhe mbështetja nga të gjitha partitë kryesore politike”, tha Terras.
Teksa vendi vazhdon të jetë nën masa nga Bashkimi Evropian, euro-deputeti kërkoi edhe heqjen e menjëhershme të tyre duke përmendur përparimet e shënuara.
“BE-ja duhet të heqë masat e vendosura ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta. Këto masa duhet të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur. Ka disa çështje ku është bërë përparim krahasuar me raportet e mëparshme”, tha Terras.
Pasi tha se fjalimi i estonezit ishte pozitiv për nga përmbajta, hulumtuesi për politikë të jashtme në GLPS, Besar Gërgi, tha se ky është më shumë mesazh simbolik, pasi s‘ka peshë në vendimmarrjeje.
Qartësimi i procesit të integrimit të Kosovës në BE- u kërkua edhe nga deputetët e tjerë të Parlamentit Evropian që morën pjesë në seancë.






