Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka uruar të gjithë shqiptarët për 80-vjetorin e Çlirimit të vendit.
Rama për urimin e kësaj feste, ka vendosur foton e vogëlushit që erdhi në jetë dje, Ditën e Pavarësisë.
“Me Diansin, vogëlushi që erdhi në jetë në maternitetin ‘Koço Gliozheni’ dje, Ditën e bekuar të Pavarësisë, ju uroj sot të gjithëve Ditën e 80-vjetorit të Çlirimit”, uroi Rama.
Shqipëria sot kremton 80-vjetorin e çlirimit të vendit nga pushtimi fashist.
Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor 1944, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste, dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë 1943, u pushtua nga forcat gjermane.
Në fund të nëntorit 1944, pas çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës, e cila u çlirua më 29 nëntor 1944.
Dita e Çlirimit vazhdon të mbajë të përçarë politikën, pasi mazhoranca aktuale e sheh 29 Nëntorin si datë përkujtimore, teksa opozita pretendon se gjermani i fundit u largua më 28 Nëntor.