Në Maqedoninë e Veriut propozohet që ora policore të fillojë pas mesnate

spot_img

Pas zvogëlimit të dukshëm të numrit të rasteve pozitive me CoViD-19, autoritetet maqedone po shqyrtojnë si opsion shkurtimin e orës policore në këtë shtet.

Komisioni për Sëmundje Infektive i Maqedonisë së Veriut do të propozojë që pas datës 15 qershor, ora policore të fillojë prej orës 01:00 dhe të zgjasë deri në orën 04:00 të mëngjesit.

Ky propozim do t’i dorëzohet Qeverisë maqedonase, e cila pritet të marrë vendimin për miratimin apo hedhjen poshtë të tij.

Kujtojmë se nga data 1 qershor në Maqedoni kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-CoViD.

Këto masa, ndër të tjerash, përfshijnë lejimin e heqjes së maskës në ambientet e hapura, grupimin e më shumë njerëzve, si dhe lejimin e dasmave.

Me vendimin e fundit, në Maqedoninë e Veriut do të lejohet edhe publiku në ngjarjet sportive, ku mund të shfrytëzohet 30 për qind e kapacitetit të përgjithshëm.

Një vendim i tillë ishte marrë pas rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Infektive, pas rënies së numrit të rasteve aktive me CoViD në këtë shtet.

DUHET TË LEXONI

spot_img