Gratë e vajzat janë më të zonja në shkencë se burrat.
Por, pavarësisht kësaj, sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, shumë prej tyre janë krejtësisht të panjohura për kontributin e tyre.
“E dimë të gjithë se studimet e shumta tashmë e kanë dëshmuar se gratë arrijnë performancë më të mirë akademike në krahasim me burrat në fushat STEM, megjithatë akoma ka mendime dhe jo pak zëra që e thonë të kundërtën. Këto stereotipie fatkeqësisht ndikojnë ndjeshëm akoma në zgjedhjet e vajzave dhe grave për karrierën e tyre dhe zhvillimin në shkencë. Andaj, edhe ne si qeveri e Ministri e Arsimit vazhdojmë të punojmë jo vetëm për të avancuar vajzat e gratë në shkencë, teknologji, inovacion, për të përmbyllur hendekun ekzistues gjinor, por jemi zotuar që do të angazhohemi përditë të avancojmë barazinë për vajzat e gratë tona, të avancojmë gjithëpërfshirjen e plotë në të gjitha dimensionet e saj”, tha Nagavci.
Ndërkaq, vajzat dhe gratë, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kanë qenë historikisht të përjashtuara nga fushat shkencore. Megjithatë, ai ka thënë se është obligim i institucioneve të punojnë për një shoqëri, ku pavarësisht nga gjinia kanë mundësi të arrijë.
Me qëllim të promovimit të barazisë gjinore dhe shkëmbimin e ideve u organizua edhe konferenca STEMinsts.
Qerim Qerimi, Rektor i Universitetit të Prishtinës, këtë konferencë e ka cilësuar si festë e arritjeve të grave.
“Një festë e arritjeve të grave të fushën e shkencës dhe teknologjisë. Mblidhemi këtu për të fuqizuar gjeneratën e ardhshme e liderëve gra. Konferenca e sotme është mundësi për t’i shkëmbyer idetë në promovimin e barazisë gjinore në STEM. Së bashku ne mund të krijojmë një botë ku vajzat dhe gratë kanë mundësi të barabarta të shkëlqejnë në fushën e shkencës e teknologjisë”, tha Qerimi.
STEMinists është organizuar për herë të parë këtë vit, duke promovuar zhvillimin e arsimit në përgjithësi.
Kjo është një politikë e mbështetjes së vajzave dhe grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës e cila është prezantuar nga Qeveria e Kosovës. /atvlive.tv