Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka pranuar në trajtim një informacion lidhur me një kanosje të drejtuar ndaj Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e publikuar në rrjete sociale.
Sipas njoftimit të Policisë, kanosja është adresuar përmes profilit të quajtur “Severna Brigada”, e njohur edhe si “Brigada e Veriut”, organizatë e shpallur terroriste nga institucionet e Republikës së Kosovës.
“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, më datë 08 maj 2026, ka pranuar në trajtim një informacion lidhur me një kanosje të adresuar ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, në rrjetet sociale nga profili i quajtur ‘Severna Brigada’”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), janë ndërmarrë menjëherë veprime intensive hetimore, me mbështetjen edhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
“Në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), menjëherë janë ndërmarrë veprime intensive hetimore, me mbështetjen edhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike”, thuhet më tej.
Nga hetimet e deritanishme është konstatuar se kanosja është publikuar përmes llogarisë në Facebook “facebook.com/severna.brigada.2025”, ndërsa sipas të dhënave të siguruara, postimi dyshohet se është bërë nga territori i Republikës së Serbisë, konkretisht nga qyteti i Kralevës.
“Bazuar në të dhënat e siguruara, postimi është bërë nga territori i Republikës së Serbisë, konkretisht nga qyteti i Kralevës në Republikën e Serbisë. Me këtë rast janë identifikuar IP-adresa e përdorur dhe të dhënat personale të përdorura gjatë regjistrimit”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës thekson se hetimet po vazhdojnë dhe janë siguruar të dhëna shtesë që do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.
“Nga analizat e kryera nga njësitë kompetente janë identifikuar të dhëna shtesë që mund të ndihmojnë në hetimin intensiv të mëtejshëm nga Policia e Kosovës dhe PSRK”, përfundon njoftimi.





