Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është dëgjuar mbrojtja e dy vëllezërve, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi në vitin 2021.
Në vazhdimin e mbrojtjes, i akuzuari, Jeton Vllasaliu tha se ishte rrugës me veturë me tani të ndjerin Rexhepi, kur ishin ndaluar nga katër persona. Sipas tij, dy persona të maskuar e kishin larguar nga vetura ku ndodhej edhe Bedri Rexhepi dhe në momentin që e kanë liruar i kishin thënë që “tani e tutje ai e dinë çka bënë me trupin e të ndjerit”.
Ai deklaroi se pasi kishte tentuar t’ia jap ndihmën e parë iu dukë më e rrugës që ta varros trupin e Bedri Rexhepit.
I pyetur nga avokati i tij se a kishte parë apo dëgjuar diçka, i akuzuari deklaroi se asgjë nuk ka parë e as nuk ka dëgjuar.
“Në momentin që më kanë liruar m’i kanë thënë dy fjalë ‘shiko çka po bon me të ndjerin Bedriun se këtu e këtej ke punë ti me të’ dhe unë jam afruar dhe e kam parë në tokë jam mundu me ia dhënë ndihmën e parë aq sa kam ditur dhe aq sa kam mundur, por e kam parë që është e kot. Dhe atë ditë kam qenë shumë i stresuar dhe i ngarkuar nuk kam ditë tjetër çka me bë me të më është dukur me e rrugës për me varros diku vetë dhe atë e kam bërë”, tha ai.
I akuzuari Jeton Vllasaliu më pas tregoi se si e varrosi të ndjerin në fshatin e tij.
“E mora rrugën me kerr të të ndjerit dhe filluam të shkojmë në fshatin tim, ku e mora një kaci dhe një kazme dhe e mbështolla trupin e të ndjerit dhe po me atë makinë e dërgova mua m’u duk vend më i sigurt për me ta varrosur të ndjerin”, tha ai.
Jeton Vllasaliu, i pyetur nga avokati i tij Ndrec Dodaj, se çka bëri me veturën e të ndjerit, i akuzuari tha se e kishte lënë në drejtim të Graçanicës, saktësisht në arat e Janjevës dhe më pas kishte vazhduar këmbë nëpër fshatin Shushicës dhe më pastaj e kishte telefonuar vëllain e tij Nexhatin i cili e kishte marrë në hyrje të Graçanicës dhe e kishte dërguar në shtëpi.
I akuzuari Jeton Vllasaliu tregoi se në zyrën e Prokurorit, kishte biseduar me vëllain e tij Nexhatin se e kishte varrosur të ndjerin, por që saktësisht nuk po i kujtohet vendi.
“Pas që mua nuk më kujtohej saktë vendi ku e kam çuar pasi që ka qenë natë, mbrëmje, terr kemi diskutuar me Nexhatin në zyrën e Prokurorit se më humbi vendi, nuk munda ta gjej pasi që nga pas lufta atë vend, veç nuk kam ecur më dhe nuk isha i qartë se ku mund të jetë vendi”, theksoi ai.
Pas përfundimit të pyetjeve nga avokati mbrojtës, Ndrec Dodaj i akuzuari, Jeton Vllasaliu deklaroi se tani e tutje do të mbrohet në heshtje. Vllasaliu iu shprehu ngushëllime edhe familjarëve të të ndjerit, të cilët ishin prezentë në gjykatore.
“Iu shprehu ngushëllimet familjes dhe po përfundoj me kaq, po filloj po mbrohem në heshtje”, tha ai.
Më pas, seanca vazhdoi me dhënien e dëshmisë së Nexhat Vllasaliu, i cili deklaroi se nuk e ka njohur asnjëherë të ndjerin, dhe as sot nuk e di të vërtetën për rastin.
“Më kanë arrestuar s’di edhe të tregoj detaje pse më kanë arrestuar, më akuzojnë për vrasjen e tash të ndjerit, Bedri Rexhepit, më vjen keq që nuk është në mes tonë që kurrë në jetë nuk e kam ditur as kush, as çka është, as që ekziston. Kurrë në jetë me bindje shumë të plotë betohem në kokën e tre fëmijëve të mi, asnjë mos e gjetsha në shtëpi, sot më ardhtë lajmi se janë të gjithë të vdekur, nëse veç dikush mund të thotë se Nexhati e njeh apo e ka njohur, apo ka pi kafe”, tha ai.
Ai tha se ishte në shtëpi duke vendosur llamba ndriçuese në momentin kur e kishte telefonuar vëllai i tij, Jeton Vllasaliu për ta marrë në rrethinë të Graçanicës.
Nexhat Vllasaliu tha se për rastin e kuptoi nga avokati, të cilin e kishte angazhuar për ta mbrojtur, vëllain e tij, Jetonin ditën e nesërme pasi ishte njoftuar nga Policia se vëllai i tij është arrestuar.
Në gjykatore, i akuzuari foli edhe rreth një skice të cilën e kishte bërë Jeton Vllasaliu siç tha ai në Prokurori, si dhe tregoi edhe momente të komunikimit që kishin pas në ditën kur kishin shkuar në vendin ku dyshohej se ishte varrosur Bedri Rexhepi.
“Piraj: Cila ka qenë kërkesa jote kur keni dal në vendin e ngjarjes gjatë komunikimit ….01’02’11 Vllasaliu: Jemi ulur në xhip, jemi përshëndetur, i thash përgjues kemi, e di, por nuk është problem, t’u kisha lutur gjeje, tha po jam i interesuar me gjet, por tha po më humb pak, edhe kemi vazhduar nëpër mal disa herë poshtë-lart, poshtë-lart, unë jam sjell pak keq me Jetonin”, tha ai.
Vllasaliu gjatë dhënies së mbrojtjes së tij tregoi edhe momentin kur e kishte thirrur hoxha i Drenasit Osman Musliu të cilin e kishte angazhuar familja Rexhepi, dhe ishin takuar ku edhe kishte shprehur gatishmërinë për t’iu ndihmuar për zbardhjen e fatit të Bedri Rexhepit.
I akuzuari Nexhat Vllasaliu gjatë seancës iu përgjigj edhe pyetjeve të prokurorit të rastit, Armend Hamiti.
Prokurori, Hamiti pyeti të akuzuarin se pse asnjëherë nuk i kishte treguar Prokurorisë se e kishte marrë me veturë vëllain e tij, Jetonin në ditën kritike në Graçanicë.
Më pas, i akuzuari tha se nuk është pyetur asnjëherë për këtë çështje nga Prokuroria.
Seanca e sotme gjyqësore për vrasjen e biznesmenit, Bedri Rexhepi pas pauzës vazhdoi me pyetjet e mbrojtësit të palës së dëmtuar, Besnik Berisha karshi të akuzuarit, Nexhat Vllasaliu.
I pyetur nga avokati i palës së dëmtuar se a ka thënë të pavërteta për rastin, i akuzuari, Nexhat Vllasaliu deklaroi se atë që e ka ditur e ka thënë.
“Berisha: Në Polici dhe Prokurori keni dhënë disa deklarata, si personi që po deklaron në vazhdimësi se nuk keni lidhje me këtë rast po prezumoj se ju e keni thënë në vazhdimësi të vërtetën apo keni thënë edhe të pavërteta…Vllasaliu: Atë që e kam ditur e kam thënë…Berisha: Ka mundësi që keni ditur edhe më shumë e nuk e keni thënë se keni dashur me mbrojtur familjen tuaj siç keni thënë edhe më parë….Vllasaliu: Jo”, theksoi ai.
Avokati Berisha e ballafaqoi të akuzuarin Nexhat Vllasaliu me deklaratat e tij të dhëna në Polici dhe Prokurori.
“Berisha: Në pyetjen se kur je takuar dhe sa herë je takuar me vëllain tuaj, Jeton Vllasaliu, më datën 08.04.2021, ju jeni përgjigjur më kujtohet se jemi takuar një herë në mbrëmje rreth orës 20:00, me sa më kujtohet unë jam kanë në tarracë duke pirë duhan, Jetoni ka ardhur vetëm dhe ka qenë në këmbë, veturën e tij Ford Fiesta e ka pasur në oborr, aty kemi biseduar shkurt 2 apo 3 minuta sa jena vetë çka bëre, a u lodhe? Dhe tani i ka shkuar në shtëpinë e vet dhe unë kam hyrë brenda në shtëpinë tim. Pyetja është, se a është e vërteta kjo që keni deklaruar si dëshmitar apo sot si i akuzuar para gjykatës… Vllasaliu: Po më kujtohet kjo më kanë pyetur kur ka ardhur jetoni te shtëpia, çka keni biseduar me Jetonin, këto çka i lexove ti nuk po më kujtohen… Berisha: Kjo nuk ka qenë pyetja e hetuesve, por pyetja ka qenë kur je takuar dhe sa herë je takuar me Jetonin atë ditë”, tha i akuzuari.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Dëmtim i varreve apo kufomave”.
Avokati mbrojtës i palës së dëmtuar, Besnik Berisha nuk e përfundoi marrjen në pyetje të të akutuarit, Nexhat Vllasaliu pasi seanca u ndërpre për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të kryetares së trupit gjykues, Medie Bytyqi.
Seanca e radhës për vrasjen e biznesmenit, Bedri Rexhepi u caktua të mbahet më 19 mars, me fillim nga ora 13:30. /kp