4.5 C
Republic of Kosovo
Saturday, February 4, 2023

Murati braktis komisionin pas përplasjeve për rritjen e tatimit: Në të kaluarën s’ka pasur vlerësime të pronave

Ministri Murati ishte ftuar për të raportuar për raportin e Auditorit, ndërsa kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami filloi ta pyesë për tatimin në pronë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, sot lëshoi mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave, pasi që në këtë komision paraprakisht u përplas me opozitën në lidhje me rritjen e çmimit të tatimit në pronë.

Ministri Murati ishte ftuar për të raportuar për raportin e Auditorit, ndërsa kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami filloi ta pyesë për tatimin në pronë.

Murati pasi u përgjigj, lëshoi mbledhjen, duke thënë se tatimi në pronë nuk është tema që u ftua për të raportuar.

Të hënën dhe të martën qytetarë të shumtë reaguan nëpërmjet rrjeteve sociale pasi tatimi në pronë për vitin 2023 u erdhi me dyfish të vlerës në krahasim me tatimin në pronë të një viti më herët.

Komunat fajësuan Ministrinë e Financave për vlerësimin e ri të pronave, ndërsa Murati në komision tha se me këtë vlerësim komunat kanë qenë të pajtuara.

Çështja e tatimit në pronë është ligji i kaluar (miratuar) më 2018, dhe Ministria e Financave s’ka marrë asnjë vendim dhe asnjë ndryshim ligjor. Unë si ministër nuk kam nënshkruar kurrë asgjë për të rritë tatimin siç po pretendoni ju. Kështu që shkallët tatimore i përcaktojnë komunat, kurse Ministria e Financave e ka obligim ligjor për me i asistuar komunat me bërë vlerësimin e pronave… Vlerësimi, mesa u njoftova unë sot nga udhëheqësja e departamentit, është se ky vlerësim i është dorëzuar komunave qysh në muajin tetor, dhe nuk ka pasur komuna që kanë bërë vërejtje me përjashtim të 3 komunave për disa vërejtje të vogla. Mirëpo, tani që po vendoset nga disa komuna, si e Prishtinës që të bëhet politikë me këtë dhe nga ju personalisht, e konsideroj që është e ulët”, theksoi Murati.

Po ashtu, Murati u shpreh se në të kaluarën ka pasur prona që në tatim janë vlerësuar me 100 euro për ari, ndërsa në shpronësim është vlerësuar 1000 euro për ari.

Ai më tej tha se do të shikojnë mundësitë që ta bëjnë të tejkalueshme situatën, derisa shtoi se nuk ka nevojë për sulme politike.

Ne si Ministri e Financave do të shikojmë se cilat janë mundësitë që ta bëjmë të tejkalueshme dhe të përballueshme këtë situatë, mirëpo duhet kuptuar që tatimi në pronë është e hyrë e komunave, asnjë cent nuk e merr as qeveria nga tatimi në pronë e as Ministria e Financave. Të gjitha këto mjete janë për interesin e komunave të mbledhin tatimet në pronë… Po, e kuptoj që ka shqetësime tek disa qytetarë, të cilëve me vlerësimet e reja iu del se tatimi në pronë është më i lartë. Mirëpo, duhet ta kuptoni që ka pasur edhe raste që me vite të tëra s’kanë qenë të vlerësuara fare nga pushtetet e kaluara. Ose për një shtëpi apo një banesë metri katror ka kushtuar 800-900 euro, është vlerësuar 300-400 euro, që ka qenë nënvlerësim. Po ashtu, ka ndodhur në të kaluarën që toka që është vlerësuar për tatim në pronë në vlerë 100 euro ari, kur ka ardhur çështja te shpronësimi, është shpronësuar me 10 mijë euro ari. Kjo shpërputhje nuk mund të vazhdoj më…Mirëpo, sa i përket kësaj që ka ndodhur dhe tendencës suaj që ta politizoni këtë që është e rregulluar me ligj, dhe nuk mendoj që ka nevojë që për konferenca të juaja për media e për sulme politike, të na ftoni neve në Komision parlamentar për çështje të diskutimit të raportit të auditorit”, tha ai.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, derisa fajësoi Muratin për shtrenjtim të vlerës së tatimit në pronë, kërkoi nga ai që ta bëjë shfuqizimin e vlerësimit në pronë.

Nuk është çështje politike, sepse ju jeni ata të cilët ja keni ngritur çmimin banesave prej 76 mijë euro në 144 mijë euro. Ju e keni ngritur bazën e tatimit në pronë. Ju jeni ministri i cili nuk e keni publikuar asnjë listë të top 50 përfituesve dhe keni filluar mandatin duke bërë politikë. Është ministrja e Financave, që ka ngritë vlerën e tatimit në pronë 100 për qind”, theksoi ajo.

Kurse, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa kritikoi Muratin se nuk dha përgjigje për rritjen e çmimit të tatimit në pronë.

“Si rezultat i ri-vlerësimit është rritë tatimi. Nuk e di pse ikë ministri për mos me dhënë përgjigje. Prandaj, nuk tha asgjë ministri. Edhe qytetarët iu kanë ikur pas gjashtë muajve në zgjedhjet lokale. E tash në zgjedhjet qendrore, po ikni ju pushteti prej qytetarëve”, tha Beqa.

Ndërsa, deputeti nga Vetëvendosje, Eman Rrahmani i doli në krah ministrit Murati dhe fajësoi deputeten Bajrami për mënyrën e kryesimit të komisionit.

Për me funksionuar ky komision duhet me I respektuar edhe kolegët edhe mysafirët që e ftuar. Nuk mendoj se është korrekte, është duke ndodhur shpeshherë prej jush si kryetare e komisionit dhe besoj që duheni me qenë më korrekt në organizimin e mbledhjeve, për shkak se është përgjegjësie juaja si kryetare e Komisionit”, tha Rrahmani.

Përveç ministrit Murati, mbledhjen e Komisionit për Financa e lëshuan edhe deputetët e Vetëvendosjes, Yllza Hoti, Arta Bajralia, Mirlinda Tishukaj Sadiku, Halil Thaçi. /I. Shabani/

publikuar së fundi
LAJME TË TJERA