MKRS anulon tenderët për stadiumin e Gjilanit, Pejës dhe Mitrovicës në vlerë 37 milionë euro

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në krye me Hajrulla Çekun, ka anuluar tre tenderë në vlerë totale prej 37 milionë euro, që lidhen me punët nëpër stadiume.

Tenderët që janë anuluar janë ai për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Pejë me vlerë të parashikuar 19 milionë euro, tenderi për renovimin e stadiumit të qytetit në Gjilan me vlerë 15 milionë euro si dhe ai për renovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë me vlerë të parashikuar të kontratës 3 milionë euro, shkruan Reporteri.net.

Anulimi i këtyre aktiviteteve të prokurimit është bërë tri ditë pas publikimit të njoftimeve paraprake, me arsyetimin se ato janë vendosur gabimisht meqë janë në fazën e vlerësimit.

Tek njoftimi për anulimin e tenderit për stadiumin e Pejës thuhet se “Kjo njoftim është njoftim gabimisht i vendosur pasi që procedura në fjalë është procedurë në fazën e vlerësimit (respetkvisht procedura Punë ndërtimore për zbatimin e projekteve të hollësishme [zbatuese kryesore] për ndërtimin dhe rindërtimin e stadiumeve në Ferizaj, në Pejë, në Prizren dhe në Vushtrri, në përputhje me rregulloret dhe udhëzimet teknike për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA me numër 207-24-12176-5-1-1 dhe 207-24-123-5-1-1 respektivisht LOT 2. Punë ndërtimore për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të arkitekturës dhe të inxhinierisë për ndërtimin e Stadiumit të ri në Pejë, në përputhje me Kategorinë III plus të rregulloreve dhe udhëzimeve teknike për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA në vlerë financiare të parashikuar 19milionë Euro)”.

Gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, Kryeministri Albin Kurti e kishte përmendur se kanë ndarë mjete për këtë stadium, për të cilin kishte thënë se është lënë si gërmadhë.

“Për Stadiumin “Shahin Haxhiislami” ku i ka zhvilluar historikisht ndjeshjet Klubi i Qytetit BESA, i kemi ndarë 19 milionë euro. Stadiumi është në gjendje të mjerueshme, kush vjen këtu në sallën e sporteve në Karagaç nuk mund ta sheh stadiumin as ditën se lëre më natën meqenëse e kanë lënë si gërmadhë të shëmtuar. Por Qeveria jonë do ta shndërrojë në një stadium modern me rreth 8 mijë ulëse. Ky investim në stadiumin e qytetit tuaj është pjesë e planit tonë 5-vjeçar për infrastrukturën e futbollit: mbi 200 milionë euro për 20 stadiume, në 18 komuna Cep më Cep Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Kurti në tubimin në Pejë.

“Kjo njoftim është njoftim gabimisht i vendosur pasi që procedura në fjalë është procedurë në fazën e vlerësimit (respetkvisht procedura Punë ndërtimore për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor] të rregullimit hapësinor, të arkitekturës dhe inxhinierisë, për rindërtimin dhe përshtatjen [ri-konfigurimin] e Stadiumit ne Gjilan, në përputhje me Kategorinë IV të rregulloreve dhe udhëzimeve teknike për infrastrukturë të stadiumeve, të miratuara nga UEFA me numër 207- 24-8996-5-1-1 dhe 207-24-079-5-1-1)”, është arsyetimi për anulimin e tenderit për stadiumin e Gjilanit.

Në shtator të vitit 2023, Ministri Hajrulla Çeku kishte thënë se janë zotuar për 15 milionë euro për ndërtimin e Stadiumit të Gjilanit dhe se procedurat për zbatimin e projektit do të fillonin menjëherë.

“Në marrëveshjen e sotme me kryetarin Alban Hyseni, zotuam 15 milionë euro për ndërtimin e stadiumit. Procedurat e nevojshme për zbatimin e projektit do të fillojnë menjëherë dhe punimet në tërësi do të nisin sa më parë”, kishte shkruar Çeku.

Ndërkohë, tek njoftimi për stadiumin “Adem Jashari” thuhet se “Kjo njoftim është njoftim gabimisht i vendosur pasi që procedura në fjalë është procedurë e kontraktuar”.

Sipas njoftimeve paraprake që ishin publikuar në platformën e-prokurimi, procedurat për këta tenderë ishin paraparë të fillonin më 4 prill të këtij viti.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA