Kompania Meta po përgatit një ndryshim të madh në mënyrën se si funksionon WhatsApp.
Së shpejti, aplikacioni mund të lejojë përdoruesit të dërgojnë dhe të marrin mesazhe edhe nga persona që nuk përdorin WhatsApp, raporton portali “Android Central”.
Funksioni i ri, i quajtur “Third-party chats”, aktualisht është në fazën e testimit në versionin beta (Android 2.25.33.8), dhe pritet të mundësojë shkëmbimin e mesazheve tekst, fotografive, videove, mesazheve zanore dhe dokumenteve ndërmjet WhatsApp dhe aplikacioneve të tjera të komunikimit.
Përdoruesit do të kenë mundësinë të zgjedhin nëse duan që këto biseda të shfaqen në listën kryesore të bisedave ose në një seksion të veçantë të quajtur “Third-party chats”. Deri më tani, dihet se në testim është përfshirë vetëm aplikacioni “BirdyChat”.
Megjithatë, disa funksione si “stikera”, statuset dhe mesazhet që “zhduken” nuk do të jenë të disponueshme gjatë komunikimit ndër-aplikacion. Po ashtu, bllokimi i një kontakti në WhatsApp nuk do të nënkuptojë automatikisht që ai person nuk mund të kontaktojë përmes aplikacionit tjetër – kjo do të varet nëse platforma tjetër e mbështet bllokimin.
Zbatimi i këtij funksioni lidhet me rregulloren e Digital Markets Act (DMA) të Bashkimit Evropian, e cila detyron kompanitë e mëdha teknologjike të lejojnë ndërveprimin (interoperabilitetin) e shërbimeve të tyre me aplikacione konkurrente.
Meta ka njoftuar se po punon për të zbatuar sistemin që do të mundësojë shkëmbimin e mesazheve duke ruajtur standardet e larta të privatësisë dhe enkriptimit për të cilat është i njohur WhatsApp-i. Megjithatë, kompania nuk ka publikuar ende një datë të saktë se kur ky funksion do të jetë i qasshëm për të gjithë përdoruesit.







