26.7 C
Pristina
Saturday

Veseli sqaron deklaratën e tij të dhënë në ZPS, ai kishte thënë se nuk është pro njësitit BIA dhe se ata janë pjesë e keqe dhe e pistë e historisë

Në gjykimin e së martës ndaj Salih Mustafës, ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ( UÇK), Sejdi Veseli në volsinë e dëshmitarit ka sqaruar deklaratën e tij të dhënë pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), ku kishte thënë nuk është pro njësitit BIA dhe se nuk i pëlqejnë ata sepse janë një pjesë e keqe dhe e pistë e historisë.

Lidhur me këtë, i pyetur nga prokurori, dëshmitari në fillim e shpjegoi se me pseudonimin “Vdekja” dhe “Tabuti”, për të nuk mund të jetë pjesë e mirë historisë, duke iu referuar anëtarëve të kësaj njësie, të cilat janë njohur me këto nofka.

“Gjema një popull në botë diku që marrin ushtarët e lirisë asi pseudonime, për atë arsye”, ka thënë dëshmitari Veseli.

Ndërsa, prokurori Filipo Deminiqes, i tha se këtu po i referohet gjithë njësitit BIA dhe e pyeti sërish se pse e konsideron gjithë njësitin në këtë formë, e dëshmitari tha se ai nuk ka akuzuar gjithë njësinë.

Dëshmitari Sejdi Veseli ka deklaruar se në kohën 1998-1999 në Kosova nuk ka pasur konflikt të armatosur, luftë çlirimtare dhe është shumë krenar që ka qenë pjesë e UÇK-së e nëse kërkohet nga nevoja sërish do të jetë.

Ai bëri të ditur se UÇK-së i është bashkangjitur kur ka ardhur nga Tirana në vitin 1998 e se është kyçur në zonën e Gollakut pasi është edhe vendlindja e tij ajo zonë.

“Aty e kisha shokun e burgut që kemi qenë politikisht të dënuar nga Serbia, Fatmir Sopin”, tha dëshmitari.

Ky dëshmitar ka deklaruar se themelet e Brigadës 153 kanë qenë me 20 shkurt 1999, ku ka qenë zëvendëskomandant i brigadës.

“E kam bërë përgatitjen e rregulloreve të brigadës pasi ishte njësi në përgatitje e sipër dhe detyra ime ka qenë përgatitja e rregullores për njësitë varëse të Brigadës 153”, ka bërë të ditur Veseli.

Për Adem Shehun, ai tha se e ka lëshuar ushtrinë e rregullt shqiptare dhe i është bashkuar UÇK-së dhe se ka qenë komandant i Brigadës 153 më pas.

Tutje, ai ka deklaruar se Brigada 153 bënte pjesë në zonën operative të Llapit dhe se komandën apo selinë kjo brigadë në momentin e krijimit e ka pasur në shtëpinë e Fatmir Sopit, në fshatin Zllash, përafërsisht 20 km larg Prishtinës.

Duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Filipo Deminiqes, ai bëri të ditur si zëvendëskomandant ishte i vendosur në shtëpinë e Fatmir Sopit në atë kohë dhe se aty kanë qenë të vendosur edhe bashkëluftëtarët e tjerë.

“Oficerë nuk ka pas se ka qenë në themelim e sipër. Brigada 153 po edhe UÇK nuk ka dal nga kazerma, akademia ushtarake, ka dal nga gjiri i popullit që ja ka fal bijat e bijtë e tij sepse i ka ardh thika në asht nga regjimi sistematik, nga ushtria dhe paramilitarët serb”, ka thënë Veseli.

Dëshmitari e ka konfirmuar se e ka njohur Rrahman Dinin, për të njëjtin tha se ka qenë i dënuar si i mitur, tutje tha se ka qenë i sëmurë me sëmundje të zemrës, astmës, mushkëri të sëmura nga torturat që ka përjetuar si i mitur e që më pas e ka paguar edhe me jetë nga ajo sëmundje.

Rreth marsit dhe prillit 1999, ai tha se Rrahman Dini në kushte normale do të dërgohej në emergjencë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Gjatë kësaj kohe, ai tha se i njëjti nuk ka qenë në gjendje të luaj ndonjë rol operacional.

“Edhe unë jam punëtor shëndetësor, edhe unë jam kujdes për shëndetin e tij, të gjithë jemi kujdes”, ka thënë Veseli.

Tutje, tha se ushtarët e rinjë janë ushtruar në shkollën e Zllashit, ku janë kryer disa ushtrime bazike, kurse në shkollë brenda janë mbajtur edhe ligjërata, ku në mesin e atyre që kanë mbajtur ligjërata, ka qenë edhe vet ai.

Dëshmitari ka thënë se në zonën e Zllashit ka qenë edhe njësia operative e Karadakut afër 200 metra nga shtabi i tyre dhe ishte në themelim e sipër dhe një grup e gueriles së qytetit që janë quajtur BIA, që mban germat e dëshmorëve.

Ai tha se komandant i BIA-së ishte Salih Mustafa, që ka dëgjuar që e kanë thirr me nofkën “Cali”, por se ai vet e ka thirrur Salih.

Dëshmitari Veseli tha se njësiti BIA nuk i ka raportuar Brigadës 153, e se në Zllash janë strehuar dhe e kanë shfrytëzuar këtë vend edhe për rehabilitim të ushtarëve e se ky njësit është njohur edhe si “Guerila e Qytetit”.

Tutje, ai tha se njësiti BIA ishte vendosur në një shtëpi në fshatin Zllash, ku kanë qenë disa shtëpi të vjetra, pa rrethoja të lëna nga pronarët, që janë shfrytëzuar me pëlqim të banorëve.

“Ne kemi dit me marr miellin në krah edhe enë në krah edhe me gatu vet edhe mos me ngarku popullin”, tha dëshmitari Veseli.

Për kompleksin në Zllash, ai tha sa ka di ka qenë përgjegjës komandant Salihu, e nuk e di nëse ka qenë tjetër kush.

Sejdi Veseli ka deklaruar se përveç Salih Mustafës, ka njohur vetëm Bahri Gashin që ishte anëtar i BIA-së, i cili kishte ardhur nga Tirana dhe për të cilin tha se ruan kujtimet më të mira si një djalë i ndershëm.

“Çfarë mendonit ju për anëtarët e tjerë të njësitit BIA”, ka pyetur prokurori.

“Kur kam dëgjuar disa pseudonime që janë përdor për mua nuk kanë flejt në vokabularin tim si “Tabuti”, “Vdekja”, nuk janë pjesë e fjalorit tim, e nuk kam dasht as t’i njoh me asi pseudonimi”, tha Veseli.

Me leje të gjykatës, prokurori ka lexuar një pjesë të deklaratës të dëshmitarit të dhënë në ZPS, ku i njëjti ishte pyetur nga prokurori “A keni kontaktuar me ndonjë anëtar tjetër të njësitit BIA përveç Salih Mustafës”.

“Përgjigja juaj ishte se ishte një i ri, i ri i mirë i cili ishte manipuluar prej tyre dhe ai ishte me mua në Tiranë, ky person i mirë i ndershëm thoni se ishte Bahri Gashi. Prokurori ju pyet se mbi çfarë baze e përdorën apo manipuluan, ju thoni se e manipuluan pasi së pari nuk mund ta besoni se ai ka qëndruar krah për krah me hajdutët”, lexoi tutje prokurori Deminiqes.

Prokurori kërkoi nga dëshmitari ta sqaroj këtë.

“Është fol se jo janë hajdut, pasi si njoh, nuk e di me çka o marr aj personi tjetri, por o fol se janë hajdut dhe mu si individ nuk mundet me më bind askush që Bahri Gashi bjen në qit nivel”, tha dëshmitari.

Ndërsa, prokurori e pyeti se për kë është folur se janë hajdut, “ Për qita “Tabut” dhe “Vdekje”, ni njëri normal nuk i ngjet vetit emrin “Vdekje”.

Tutje, prokurori tha se në deklaratën e tij për ZPS ka thënë se kishte persona me nofka “Tabuti” dhe “Vdekje” që ishin kriminel me rekord gjithë jetën dhe se nuk mund të shkoj askund në botë me këta njerëz dhe se Bahriu është njeri i mirë.

“Këta njerëz a ishin anëtarë të njësitit BIA”, ka pyetur prokuroria, kurse dëshmitari tha se nuk i ka njohur personalisht, por se ka dëgjuar se kanë qenë recidivista.

Tutje, Veseli tha se është shumë normale se askush në luftë çlirimtare nuk mundet t’ia ndaloj dikujt të luftoj për vendin e vet, por se ai si individ me njerëz të tillë nuk do të kishte dashur të shoqërohet.

Kur u pyet se a kanë qenë këta persona ndonjëherë në Zllash, ai tha se e di së në Viti të Marevcit është angazhuar edhe njësiti BIA gjatë ofensivës.

“Salihun e kam njoft para lufte si ish i burgosur politik, kam pas raporte të mira, e konsideroj bashkëluftëtar, por për tjerët nuk muj me fol, për ata që si njoh”, ka thënë tutje Veseli.

Kurse, prokurori i tha se për personat me nofkat e lartcekura, në deklaratën në ZPS ka thënë se kanë qenë herë pas herë në Zllash për tu strehuar.

“Për që kanë qenë pjesëtar kanë ardh edhe ata, por unë nuk i njoh”, tha Veseli.

Tutje, prokurori tha se në ZPS dëshmitari ka thënë se nuk është pro BIA-së, e se nuk i pëlqejnë ata sepse janë një pjesë e keqe dhe e pistë e historisë.

Kurse, lidhur me këtë, dëshmitari tha se në fillim e tha dhe e shpjegoi se me pseudonimin “Vdekja” dhe “Tabuti”, për të nuk mund të jetë pjesë e mirë historisë.

“Gjema një popull në botë diku që marrin ushtarët e lirisë asi pseudonime, për atë arsye”, ka thënë dëshmitari Veseli, ndërsa prokurori tha se këtu po i referohet gjithë njësitit BIA dhe e pyeti sërish se pse e konsideron gjithë njësitin në këtë formë, e dëshmitari tha se ai gjithë njësinë nuk e akuzon.

Dëshmitari Veseli u pyet se çfarë bënte njësia BIA që e bënte të mendonte se ishte pjesë e keqe e histori.

“Nëse thotë se është njësi ushtarake e tërë kohën rrin në mal, jo në terrenin ku ka qenë i përcaktum, për mu nuk o në rregull”, tha Veseli.

Tutje, dëshmitari tha se nëse është folur se në atë njësi ka persona që janë recidivista, ndryshe nuk ka mundur ta vlerësoj.

“Nëse ka qysh osht fol që ka njerëz që janë recidivista e këto unë ndryshe nuk kam mujt me vlerësu, por e di që një e drejtë elementare e njeriut o që kërkush kërkujna s’mundet me ja ndalu me luftu për çlirimin e vendit të vet. Kanë fol këtë çka thash, kam ardh me vonesë dhe nuk i kam njoft, unë i kam has të formum.”, tha Veseli.

Më pas, me kërkesë të prokurorit është kaluar në seancë private, e pas kthimit nga kjo seancë, ai bëri të ditur se nuk kanë pyetje tjera për këtë dëshmitar.

Kurse, avokatit Julius Von Bone, e pyeti se kur ka qenë bombardimi serb në Prishtinë, ndërsa dëshmitari tha se ka qenë nga fundi i marsit.

Dëshmitari tha se ka pasur prurje shumë të madhe të popullatës në zonën e Gollakut pas bombardimeve, të cilët strehoheshin nëpër shkolla, e nëpër çadra.

Tutje, ai tha se rregulloret me të cilat janë marrë kanë qenë rregullore për rregullimin e brendshëm të brigadës dhe se është shërbyer me rregulloret e ushtrisë shqiptare dhe jugosllave.

“Rregullorja për mbrojtjen nga mjetet shpërthyese, rregullorja qysh duhet mu sill me popullatën, rregullorja e rreshtimit, rregullorja e raportimit, rregullorja qysh duhet me u sill me robt e luftës, edhe ato në përputhje me ligjet ndërkombëtare për luftën”, tha dëshmitari Veseli.

Ndërkaq, sa i takon disiplinës së brendshme të anëtarëve të brigadës, ai konfirmoi se ka pasur një të tillë.

“E shkrume rregullorja e UÇK-së, globale, kurse ne e kemi nxjerr atë që na ka taku neve si njësi varëse e UÇK-së, psh moszbatimi i detyrës rekomandohet një pjesë tjetër, bisedohet me të, këshillohet me të, jo në tjera metoda domethënë, dënim tjetër nuk ka pas”, tha Veseli.

Gjithashtu, ai ka konfirmuar se ka pasur polici ushtarake në zonën ku vepronte brigada 153 dhe se në krye të policisë ushtarake ishte Gani Rafuna.

Sipas tij, anëtarë të policisë ushtarake kanë qenë në gjithë Gollakut vetëm 20 persona./Betimipërdrejtësi

REKLAMËspot_imgspot_img

ARTIKULL I SPONSORIZUAR

PUBLIKUAR SË FUNDMI
spot_img
NGJARJE TË TJERA
REKLAMËspot_img