15.2 C
Pristina
Tuesday

Panairi ‘e JONA’ promovon bizneset shqiptare

Është hapur sot në Gjilan panairi dhe festivali mbarëkombëtar ‘e JONA’, i cili u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni dhe me mbështetje të Qeverisë së Kosovës.

Është hapur sot në Gjilan panairi dhe festivali mbarëkombëtar ‘e JONA’, i cili u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni dhe me mbështetje të Qeverisë së Kosovës.

Kryetari Hyseni tha se ky panair është një mundësi e mirë që të njihen dhe të thellohet bashkëpunimi ndërmjet prodhuesve e tregtarëve.

Ai tha se panairi synohet të jetë i përvitshëm, duke shtuar se Gjilani do të kthehet në një kryeqendër për takimin e bizneseve.

“Qëllimi ynë ka qenë që të mbledhim shqiptarët kudo që janë, ndërkohë që Gjilani si kryeqendra e Anamoravës, si vendi që përreth ka shqiptarët në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, Likovë e Kumanovë, e po ashtu si qendër e si qytet ku gravitojnë shqiptarët nga të gjitha trojet, po mbledh mes nesh shqiptarët që janë veprimtarë në fushën e biznesit dhe ekonomisë, në mënyrë që të mund të bashkëbisedojmë dhe të lidhim marrëveshje të reja e të shtojmë bashkëpunimin”, tha Hyseni.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka përgëzuar Komunën e Gjilanit për këtë iniciativë, duke thënë se do ta vendosë Gjilanin në fokus të bizneseve dhe të përpjekjeve për investime të qëndrueshme.

“Ju përgëzoj nga zemra për këtë iniciativë, e cila i tejkalon suazat e qytetit të Gjilanit, iniciativë kjo që të gjithë rajonin e Anamoravës do ta vendosë në fokus të bizneseve dhe të përpjekjeve për investime më të qëndrueshme dhe investime më serioze, jo vetëm të bizneseve vendore dhe të shteteve fqinje, por edhe të mërgatës kudo që është. Pra, presim një ringjallje në të ardhmen jo vetëm të industrisë në Gjilan, por presim një forcim të bizneseve të vogla dhe të mesme, të cilat gjithmonë kanë qenë e ardhmja e rajonit”, tha Gërvalla.

Ndërsa, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pasi ka uruar për panairin, ka kërkuar nga qytetarët që të blejnë prodhime vendore.

“Për të krijuar një zhvillim të hovshëm ekonomik nevojiten investime të huaja direkte, por asnjëherë nuk duhet harruar shtyllën kurrizore të ekonomisë së vendit – bizneset dhe prodhuesit vendorë. Ne si qeveri jemi munduar ta bëjmë maksimumin që t’i mbështesim sa më shumë këto biznese, në mënyrë që duke e ndihmuar njëri-tjetrin të ngrihemi të gjithë si ekonomi”, tha ministri Murati.

Panairi e JONA do të zgjasë tri ditë me radhë. Ky event përfshinë tri aktivitete, Panairin e bizneseve mbarëkombëtare dhe takime të bizneseve (B2B), Panairin shitës në sheshin e qytetit me bizneset e vogla (B2C) i cili do jetë i hapur për vizitorë për tri ditë radhazi dhe koncerti festiv i përcjellë me ushqime.

spot_imgspot_img

ARTIKULL I SPONSORIZUAR

PUBLIKUAR SË FUNDMI
NGJARJE TË TJERA
spot_img