26.7 C
Pristina
Saturday

Musliu e Naço zotohen për rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave në sektorin e sigurisë

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i kryesuar nga Ganimete Musliu, kryetare, ka pritur sot në takim Komisionin për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të drejtuar nga Nasip Naço, kryetar.

Fillimisht, deputetja Musliu, në emër të komisionit të cilin e drejton, ka falënderuar delegacionin nga Shqipëria që i është përgjigjur pozitivisht ftesës.

Pasi e ka paraqitur një rezyme të rolit dhe punës së Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Musliu ka vlerësuar se është e domosdoshme mbajtja e takimeve më të shpeshta, rrjedhimisht rritja e bashkëpunimit ndërmjet komisioneve.

Po ashtu, Musliu ka thënë se Kosova ka nevojë për përkrahjen e Shqipërisë, marrë parasysh përvojën e saj në fushën e sigurisë.

“Mbi të gjitha, kemi nevojë që të shkëmbejmë përvojat mes dy shteteve, duke pasur parasysh që Shqipëria ka përvojat më të gjata se shteti ynë”, ka thënë Musliu.

Në këtë kontekst, ajo ka thënë se çdo ide, këshillë apo sugjerim do të jetë e mirëseardhur dhe do të vlerësohet nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Nasip Naço, ka thënë se përkundër faktit se Kosova është shtet i ri, Shqipëria mund të marrë përvojë nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

“Vlerësoj se mund të japim, por edhe të marrin eksperienca të mira nga ju”, ka thënë Naço.

Ai po ashtu ka thënë se bashkëpunimi dhe rritja e sigurisë është në dobi të të dyja shteteve.

Gjatë bashkëbisedimit, anëtarët e të dyja komisioneve janë pajtuar për rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave në sektorin e sigurisë.

Komisioni për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, po qëndron në Kosovë me ftesë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

REKLAMËspot_imgspot_img

ARTIKULL I SPONSORIZUAR

PUBLIKUAR SË FUNDMI
spot_img
NGJARJE TË TJERA
REKLAMËspot_img