Këshilli nacional për serbët e Kosovës, propozimi i Kurtit i befason serbët lokalë

spot_img

Në Serbi ekziston një Këshill Nacional i Shqiptarëve. Ky organ atje merr pjesë edhe në proceset zgjedhore. Një institucion të njëjtë, por për serbët në Kosovë, e ka propozuar kryeministri Albin Kurti, të martën në Bruksel, në takimin me palën serbe.

Kjo, sipas kryeministrit kosovar, do të mundë të ndodhte pas njohjes reciproke të të dyja shteteve, në kuadër të reciprocitetit bilateral për pakicat.

“Ky propozim i Kurtit i ka befasuar serbët në Kosovë, por i bëri të mendojnë”, thotë Ognjen Gogiq nga organizata “Aktiv”.

Sipas tij, është ide e mençur nga pala kosovare, porse vështirë do të pranohej kjo ide nga banorët serbë karshi Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 “Është njëra nga idetë e para në këto vitet e fundit që dikush nga Prishtina u ka bërë propozim serbëve lokalë, i cili i ka bërë atë të mendojnë. Në parim kjo nuk duket të jetë një ide e keqe, sepse pas luftës në Kroaci ekziston një këshill i tillë dhe bën një punë shumë të mirë dhe mendoj që serbët do të nisin të mendojnë për këtë gjë, sepse kam dëgjuar disa njerëz duke thënë se kjo nuk është ide e keqe. Por, idenë e Kurtit që kjo ta zëvendësojë asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk do ta pranojnë. E vërteta është se serbët e Kosovës nuk presin që asociacioni i komunave me shumicë serbe të formohet, por Beogradi po e kërkon një gjë të tillë,”- ka thënë ai.

Nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike thonë se propozimi vjen si përpjekje e Kurtit për ta integruar çështjen e pakicave shqiptare në Serbi.

Sipas Berishës, edhe tri propozimet tjera të kryeministrit Kurtit dhanë mesazh për shumë palë njëkohësisht. Por, sipas tij, nga takimi i fundit mbetet i paqartë qëndrimi i Bashkimit Evropian.

Ndërkaq pas takimit të së martës në Bruksel, mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuciq, palët u pajtuan vetëm për vazhdimin e takimit në muajin korrik.

Tri propozimet e Kurtit, përfshirë formimin e këshillit kombëtar serb në Kosovë, i refuzoi presidenti serb. /ATVLIVE

Për më shumë ndiqni videon më poshtë: 

DUHET TË LEXONI

spot_img