Në “Studio e Hapur” në ATV, Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka komentuar zhvillimet rreth dështimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke kujtuar një precedent të ngjashëm nga viti 2017.
Sipas tij, praktika aktuale e mospajtimit me kandidatin për kryeparlamentar nuk është e re dhe ishte ndjekur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje në të kaluarën.
“Një situatë e tillë veçse e kemi pasur edhe në vitin 2017, kur vetë Lëvizja Vetëvendosje nuk e kishte votuar kandidatin e PAN-it, Kadri Veselin. Ata patën kërkuar një kandidat tjetër,” theksoi Kolshi, duke shtuar se këto veprime tashmë po ndërtojnë një praktikë të gabuar që mund të dëmtojë funksionimin institucional.
Ai nënvizoi se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë: të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit e ka partia më e madhe, por zgjedhja kërkon konsultim dhe bashkëpunim ndërpartiak.
“Konstituimi i Kuvendit nuk duhet të ngatërrohet me formimin e Qeverisë. Pozita e kryetarit të Kuvendit nuk duhet të futet në marrëveshje politike, por duhet të zgjidhet përmes mirëkuptimit ndërmjet subjekteve parlamentare,” tha Kolshi.
Zhvillimet e fundit nga Kuvendi i gjeni në videon më poshtë: