Gjashtë persona janë lënduar si pasojë e një rrahje që ka ndodhur në një lokal në Lipjan të shtunën, më 19 korrik 2025.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se rreth orës 11:30 kanë marrë informatën për rrahjen dhe Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Gjashtë të lënduarve iu është ofruar trajtimi mjekësor, ndërsa dy prej tyre janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Sot rreth orës 11:30 është pranuar informata për një rrahje në një lokal në Lipjan. Me të marrë informatën policia, ka dalë në vendin e ngjarjes nga ku jemi njoftuar se si pasojë e rrahjes gjashtë persona janë lënduar dhe të njëjtëve menjëherë u është ofruar trajtimin e nevojshëm mjekësor. Dy nga personat e lënduar nën përcjellje të policisë janë duke u trajtuar në QKUK, ndërkohë që katër të tjerë pas trajtimit mjekësor, janë shoqëruar në polici për intervistim”, tha Ahmeti.