Aktori dhe producenti i njohur shqiptar, Ermal Mamaqi, ka sqaruar së fundmi deklaratat që ngjallën shumë debat pak ditë më parë lidhur me konceptin e varfërisë.
Mamaqi tha se varfëria shpesh është pasojë e zgjedhjeve personale, duke theksuar se “kush punon 12 orë në ditë, nuk mund të quhet i varfër”.
“Unë i referohem disa formave të ndryshme të dembelizmit. Nëse je dembel 40 vjeç, ti e meriton atë status që ke. Për mua, varfëria më e madhe nuk është pjesë e financave. I varfër quhesh kur nuk mbyll dot shpenzimet minimale,” tha Mamaqi.
Aktori sqaroi se fjala “e meriton” ka dy kuptime.
“Askush nuk e meriton të jetë i varfër nga pikëpamja njerëzore, por nga ana tjetër, janë ata që kanë zgjedhur vetë rrugën që ndjekin, dhe si pasojë, marrin atë që kanë programuar e planifikuar.”
Mamaqi bëri edhe një thirrje për ata që sipas tij rrezikojnë të zëvendësohen nga robotët, duke paralajmëruar se koha e re kërkon veprim dhe ndryshim.
“Çohu dhe bëj diçka, sepse shumë shpejt robotët do vijnë dhe do na zënë vendin. Ne marrim atë që tolerojmë. Nëse je në këtë pikë ku diçka nuk shkon, duhet të ndryshosh diçka.”
Në fund, ai shtoi konceptin e tij të njohur të “0 based thinking” – të menduarit nga zero:
“Duke ditur këtë që di sot, a do e bëja përsëri atë që po bëj?”, përfundoi Mamaqi.







