4.5 C
Republic of Kosovo
Saturday, February 4, 2023

Djegia e Kuranit në Suedi, Erdogan: Mos prisni mbështetje nga ne në NATO

Suedia nuk duhet të presë që Turqia të mbështesë aplikimin për anëtarësim në NATO, tha presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan të hënën, disa ditë pasi një kopje e Kuranit u dogj në një protestë në Stokholm.

Suedia aplikoi për t’u bashkuar me NATO-n pasi Rusia pushtoi Ukrainën – por ka nevojë që Turqia si anëtare, ta miratojë, shkruan BBC.

Protestuesit kurdë në Suedi varën një figurë të Erdoganit këtë muaj, pasuar nga djegia e Kuranit.

“Suedia nuk duhet të presë mbështetje nga ne për NATO-n”, tha Erdogan në përgjigje.

“Është e qartë se ata që shkaktuan një turp të tillë para ambasadës së vendit tonë, nuk mund të presin më asnjë dashamirësi nga ne për aplikimin e tyre”.

Protestës të së shtunës – por jo edhe djegies së Kuranit – iu dha miratimi paraprak nga autoritetet suedeze.

Erdogan dënoi protestën e fundit, të kryer nga një politikan i ekstremit të djathtë nga një parti daneze, si blasfemi që nuk duhet mbrojtur si liri e fjalës.

Edhe qeveria suedeze kritikoi protestën.

“Suedia ka një liri të gjerë të shprehjes, por kjo nuk do të thotë që qeveria suedeze, apo unë, mbështesim mendimet e shprehura”, tha të shtunën Ministri i Jashtëm suedez Tobias Billstrom.

Duke iu përgjigjur komenteve të Erdoganit të hënën, Billstrom tha se donte të kuptonte saktësisht se çfarë tha lideri turk përpara se të komentonte.

“Suedia do të respektojë marrëveshjen që ekziston midis Suedisë, Finlandës dhe Turqisë në lidhje me anëtarësimin tonë në NATO”, shtoi ai.

Suedia, së bashku me Finlandën, aplikuan për t’u bashkuar me NATO-n pasi Rusia pushtoi Ukrainën, por protestat e fundit kanë rritur tensionet.

publikuar së fundi
LAJME TË TJERA