Përgatiti: Nora Luta
Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi i shoqëruar nga i njëjti avokat, por për t’u ballafaquar me akuza të reja, erdhi sërish të martën në Gjykatën e Prishtinës.
Krasniqi, bashkë me ish-ushtruesin e Drejtorit të Zyrës së Prokurimit në KEK, Ymer Dragusha, dhe juristin Isuf Zejna akuzohen për keqpërdorime milionëshe në KEK.
Në fakt, kjo është aktakuza e dytë për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj Krasniqit.
Por, shqyrtimi fillestar në mungesë të Ymer Dragushës, i cili sipas aktakuzës ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë, dështoi të mbahet.
Megjithatë Dragusha, i cili edhe është dëshmitar bashkëpunues i PSRK-së në këtë rast, është pajtuar që Gjykatës t’i propozojnë dënim me kusht në kohëzgjatje prej dy vitesh.
“Në bazë të KPRK-së të urdhërohet që ky dënim të mos ekzekutohet, nëse nuk kryen tjetër vepër penale gjatë periudhës dy vjeçare të kushtëzimit”, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës si rezultat i veprimeve të Krasniqit e Dragushës nga korriku i 2022-s deri në maj të 2023-s i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës, dëm rreth 37 milionë euro”.
Ndërsa, Isuf Zejna akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Ndërkohë, në prill të vitit 2023, Bordi i KEK-ut pezulloi Krasniqin nga detyra e kryeshefit ekzekutiv, ndërsa e shkarkoi atë një vit më vonë.
Aktakuza e parë ndaj tij është ngritur në Gusht të 2024-s, dhe në shqyrtimin fillestar e ka mohuar fajësinë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: