Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka reaguar pas padisë së paralajmëruar nga Partia Demokratike e Kosovës për masat sanksionuese të BE-së ndaj Kosovës.
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së Vlora Çitaku tha sot në një konferencë për media se për shkak të shpifjes ndaj dy zyrtarëve të lartë të kësaj partie, do të ngrihet padi ndaj deputetes Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.
Kjo e fundit në një reagim në Facebook ka ironizuar me deklarimet e partisë më të madhe opozitare, duke thënë se “secila fytyrë që del për të folur më e pakëndshme për historinë e Kosovës”.
“Dy zotërinjtë e PDK-së nuk kanë reaguar për lobimin e tyre që mos t’i hiqen masat Kosovës, por paska reaguar një lobuese tjetër nga PDK, Vlora Çitaku. Ndoshta është e udhës të reagojë kjo që është e njohur për këso projektesh, dikur mbronte e shtynte tutje projektin e shkëmbimit territorial sot kinse demanton atë të lobimit për mos heqje të masave për Kosovën. Konsistente në projektet e veta”, ka thënë Kryeziu-Hyseni.