15.2 C
Pristina
Tuesday

Mbyllet konkursi, këta janë emrat e kandidatëve për Drejtor të Policisë

Pozitën më të lartë në Policinë e Kosovës, sipas informacioneve jo-zyrtare të ATV-së, e synojnë Bahri Shala, Fatos Haziri, Gazmend Hoxha dhe Granit Fetahu. Kandidatja e pestë është nga komuniteti serb.

PËRGATITI: FATLUM JASHARI

Të mërkurën është mbyllur konkursi për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë, që u hap pas dorëheqjes së Samedin Mehmetit, me arsyetimin zyrtar, shkaqe personale dhe ndërgjegje profesionale, pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.

Pa treguar emrat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme konfirmuan se për këtë pozitë kanë aplikuar pesë kandidatë.

“Konkursi për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës është mbyllur me datë 21.09.2022. Në këtë konkurs kanë aplikuar pesë (5) kandidatë. Ndërsa, intervistimi dhe përzgjedhja e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës do të bëhet konform legjislacionit përkatës në fuqi. Po ashtu, kemi pritur aplikimet e mundshme me postë”.

Pozitën më të lartë në Policinë e Kosovës, sipas informacioneve jo-zyrtare të ATV-së, e synojnë Bahri Shala, Fatos Haziri, Gazmend Hoxha dhe Granit Fetahu. Kandidatja e pestë është nga komuniteti serb.

Zëvendësdrejtori Fehmi Hoti, që për gati katër javë është duke ushtruar detyrën e Drejtorit, nuk është në mesin e aplikantëve.

Kandidatët në garë janë:

Bahri Shala, aktualisht është drejtor i Teknikës Kriminalistike në Policinë e Kosovës, ndërsa ka qenë edhe drejtor i Anti-Drogës.

Fatos Haziri, aktualisht ligjërues në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, në të kaluarën ka qenë udhëheqës i Departamentit Kundër Krimit të Organizuar.

Gazmend Hoxha, aktualisht drejtor i Departamentit të Operacioneve, ish-drejtor i Departamentit për Siguri Publike.

Dhe, Granit Fetahu, aktualisht drejtor për Sigurimin e Objekteve dhe Personaliteteve, që në të kaluarën ka udhëhequr Departamentin për Shërbime Mbështetëse.

Drejtori i Përgjithshëm i ri i Policisë së Kosovës do të ketë mandat pesëvjeçar, me mundësi vazhdimi, pas çdo pesë vjetësh.

Nëse konkursi përmbyllet me sukses brenda vitit, atëherë Policia do ta ketë drejtorin e katërt të përgjithshëm në katër vjetët e fundit.

Më 2018, Shpend Maxhuni dha dorëheqje nga kjo pozitë. Pas tij, u emërua Rashit Qalaj, që u shkarkua në tetor të vitit 2020.

Pas Qalajt, në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm u emërua Samedin Mehmeti, që dha dorëheqje më 30 Gusht.

spot_imgspot_img

ARTIKULL I SPONSORIZUAR

PUBLIKUAR SË FUNDMI
NGJARJE TË TJERA
spot_img