15.2 C
Pristina
Tuesday

Kurti: S’kemi mundësi financiare të paguajmë më për energjinë në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se prioritet numër një mbetet zbatimi i marrëveshjes për energjinë ne veri, kur u pyet për krizën energjetike dhe dimrin e vështirë që na pret në lidhje me furnizimin me energji.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se prioritet numër një mbetet zbatimi i marrëveshjes për energjinë ne veri, kur u pyet për krizën energjetike dhe dimrin e vështirë që na pret në lidhje me furnizimin me energji.

Shefi i ekzekutivit, gjatë një konference për media nga selia e Lëvizjes Vetëvendosje, përmendi edhe nënshkrimin e programit Kompakt me MCC por u shpreh se shteti nuk ka më mundësi financiare të paguajë për energjinë e shfrytëzuar në veri të vendit.

Madje zbatimi i këtij udhërrëfyesi, Kurti tha se është gjëja e vetme që mendon kur bie të fle dhe zgjohet zëvendëskryeministri Besnik Bislimi por pati dilema nëse kohët e fundit është duke fjetur ose jo.

“Preokupimi ynë kryesor është zbatimi i udhërrëfyesit i cili do ta mundësojë që sa më parë të fillojë edhe pagesa e energjisë elektrike në veri të Kosovës sepse shteti ynë, qeveria jonë, nuk mund ta përballojë as financiarisht dhe as materialisht një përsëritje të viteve të mëhershme, pra duhet të fillojë inkasimi i energjisë elektrike në veri të Kosovës. E dini që ZRRE ka pasur dy javë kohë për licencimin, por e ka bërë për dy ditë, por nga ana tjetër, edhe sot e kësaj dite nuk e kemi regjistrin e konsumatorëve në veri. Ky është preokupimi ynë kryesor dhe kjo është çështja numër një me të cilën zgjohet në mëngjes dhe bie të fle në mbrëmje zëvendësi im, nëse fle, Besnik Bilsimi, sepse nuk ka gjë sot më të rëndësishme për të por edhe do të thosha edhe për shtetin tonë që të zbatohet ai udhërrëfyes dhe përfundimisht të kemi shërbimin e furnizimit edhe në veri, pagesën e energjisë së konsumuar dhe në këtë mënyrë edhe stabilitetin energjetik në Kosovë”, deklaroi Kurti.

Kryeministri ka komentuar edhe sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit gjatë një aksioni antikontrabandë. Pasi paralajmëroi se do t’i presë në kryeministri policët e lënduar, ai tha se shpreson që edhe hallkat e tjera të drejtësisë të jenë në nivel të detyrës që të mos përsëriten të tilla raste.

“I kemi pesë të lënduar në veri të Kosovës duke luftuar kontrabandën, krimin e organizuar, unë nuk mund të shpreh vetëm falënderimin dhe mirënjohjen time të madhe për trimërinë e profesionalizmin e tyre por në të njëjtën kohë shpresoj e uroj që edhe hallkat e tjera të sistemit të drejtësisë, prokuroria e gjyqësori të jenë në nivel të detyrës në mënyrë që të mos na përsëriten rastet e këtilla”, tha Kurti.

Kurti foli edhe për paralajmërimet e ministres Hajdari se do të ketë çmime tavane dhe për disa produkte të shportës familjare.

Ai tha se kjo do të bëhet pasi kjo ka funksionuar me çmimet për karburantet ndërsa do të realizohet pa shkelur ligjin dhe kushtetutshmërinë. Për këtë tha se detaje do të jepen ditëve në vijim.

“Çmimi për naftën ka dhënë rezultate dhe ne duhet tash prej organeve që i kemi shtetërore e disa janë edhe institucione të pavarura shtetërore por edhe prej zyrtarëve dhe ekspertëve që i kemi nëpër ministri tona ta gjejmë mënyrën më të mirë që edhe të mos e shkelim ligjin e kushtetutshmërinë por edhe t’u dalim në ndihmë sa më shumë qytetarëve. Për shkak se kemi deficit tregtar si shtet, ne importojmë më jo vetëm mallra por importojmë edhe inflacionin ndërkaq në anën tjetër duhet të bëjmë çmos që popullsia jonë të jetë sa më aktive pikërisht duke u punësuar”, tha Kurti.

Kurti mbajti konferencë për media për të njoftuar për procesin e brendshëm zgjedhor nëpër të cilën po kalon Lëvizja Vetëvendosje.

spot_imgspot_img

ARTIKULL I SPONSORIZUAR

PUBLIKUAR SË FUNDMI
NGJARJE TË TJERA
spot_img