Përgatiti: Kastriot Tahiri
Një vit e një muaj kaluan prej kur Gjykata themelore e Prishtinës dha verdiktin final për rastin e njohur si 53 milionëshi.
Me 10 vjet e 3 muaj burgim ishin dënuar ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, bashkë me Eset Berishën, Nebi Shatrin dhe Besim Tahirin, për cka mbrojtja e tyre ishte ankuar në shkallën tjetër, atë të Apelit.
E një vit më pas, Gjykata e Apelit vendosi t’i vlerësojë si të bazuara ankesat e mbrojtjes së të pandehurve, duke e kthyer në rigjykim rastin.
“APROVOHEN si të bazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve Pal Lekaj avokat Artan Qerkini, Nebih Shatri avokat Florent Latifaj, Eset Berisha avokat Afrim Salihu, Besim Tahiri avokat Urim Vokshi, dhe ankesa e vet të akuzuarit Eset Berisha, e sipas detyrës zyrtare, ANULOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti Special PS.nr4./2022 të datës 31.01.2024, dhe çështja penale kthehet në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet nw njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Lekaj bashkë me kabinetin e tij në atë kohë, u dënua, për rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Sipas gjykatës, ata me dashje tejkaluan kompetencat zyrtare, kur nuk e përfillën opinion e kompanisë “Hill”.
Raporti kishte arsyetuar se borxhi prej 53 milionë eurosh ishte joreal dhe se Qeveria do të duhej të paguante 38 milionë euro më pak sesa i kërkoheshin në emër të punimeve dhe kostove shtesë për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.