Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka zbuluar mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej 30,328 eurosh gjatë kontrolleve të kryera në pikëkalimin kufitar me Serbinë në Bërnjak.
Sipas njoftimit, zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë ndaluar për kontroll të detajuar një automjet me targa të huaja, i cili po largohej nga territori i Kosovës dhe drejtohej nga shtetas të huaj.
Gjatë intervistimit fillestar, personat në automjet kanë deklaruar se nuk posedonin mallra apo mjete monetare për deklarim. Megjithatë, pas kontrollit të hollësishëm të automjetit, bagazhit dhe një çante personale, autoritetet kanë gjetur para të padeklaruara.
“Gjatë kontrollit janë gjetur mjete monetare të padeklaruara. Pas numërimit dhe verifikimit, është konstatuar se shuma totale e mjeteve monetare tejkalonte kufirin ligjor prej 10,000 euro, i cili obligon deklarimin pranë autoriteteve doganore. Në çantën personale janë gjetur mjete monetare në dy valuta: • 25,515 euro (EUR) • 565,060 dinarë serbë (RSD), me vlerë të përafërt prej 4,813 euro. Vlera totale e mjeteve monetare të padeklaruara: 30,328 euro”, thuhet në komunikatën e Doganës.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, autoritetet kanë konfiskuar 25 për qind të shumës së përgjithshme, ndërsa 75 për qind e saj është ndaluar përkohësisht deri në verifikimin e burimit dhe ligjshmërisë së prejardhjes së mjeteve monetare.
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi, personi është njoftuar për masat administrative të ndërmarra. Me këtë rast, është konfiskuar 25% e shumës totale, ndërsa 75% e shumës është ndaluar përkohësisht deri në verifikimin e burimit dhe ligjshmërisë së prejardhjes së mjeteve monetare. Rasti do të trajtohet nga sektori kompetent i hetimeve për procedurat e mëtejshme ligjore”, thuhet në komunikatë.
Dogana e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në zbatimin e legjislacionit doganor dhe financiar, si dhe në luftimin e aktiviteteve të paligjshme, përfshirë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.





