ProCredit Superliga rikthehet në parket pas ndeshjes së Kosovës, duke sjellë duele tepër interesante në javën e tetë të kampionatit.
Derbi i xhiros do të luhet të enjten në mbrëmje, ku GO+ Peja dhe Trepça do të përballen në ndeshjen kryesore të javës. Kjo përballje tradicionalisht ka prodhuar emocione të forta dhe edhe këtë herë pritet spektakël, pasi të dyja skuadrat kanë shfaqur formë të lartë dhe ambicie të mëdha. Pejanët kanë gjashtë fitore e një humbje, ndërsa mitrovicasit katër fitore e dy humbje. Në takimin e parë të zhvilluar në Mitrovicë, verdhezinjtë triumfuan me rezultat 80:86.
Një tjetër duel i rëndësishëm është ai mes Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit. Të dy skuadrat kërkojnë rikthimin te fitoret, pasi kohët e fundit nuk kanë shënuar rezultate pozitive. Bardhekaltrit kanë katër fitore e tri humbje, kurse therandasit një fitore e gjashtë humbje. Përballjen e parë në Therandë e fitoi skuadra kryeqytetase me rezultat 76:78, ndërsa edhe sfida e së mërkurës do të zhvillohet në Therandë.
Ndeshja Rahoveci 029 – Bora pritet të jetë po ashtu shumë interesante dhe me peshë për të dy skuadrat. ‘Vreshtarët’ kanë tri fitore e katër humbje, ndersa prishtinasit një fitore e pesë humbje. Takimin e parë në kryeqytet e fitoi Rahoveci me rezultat 84:95.
Të enjten në Gjakovë do të zhvillohet dueli mes Bashkimit dhe Vëllaznimit. Portokallezinjtë, që janë skuadra e vetme pa humbje këtë edicion, kanë shënuar shtatë fitore në shtatë ndeshje. Në anën tjetër, Kuqezinjtë kanë një fitore e gjashtë humbje. Takimin e parë e fitoi skuadra prizrenase me rezultat bindës 69:106.
ProCredit Superliga – Java 8
E mërkurë
18:45 Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli
18:45 Rahoveci 029 – Bora
E enjte
18:45 Bashkimi – Vëllaznimi
20:00 GO+ Peja – Trepça







